
Presidenti Donald Trump ka zbuluar planet për shitjen e një vize “kartë ari” për 5 milionë dollarë që do t’u ofrojë blerësve të pasur qëndrim të përhershëm në SHBA dhe një rrugë drejt shtetësisë amerikane.
Në mbledhjen e parë të kabinetit të mandatit të dytë, Trump u tha gazetarëve se vizat do të funksiononin njësoj si kartat jeshile, të cilat lejojnë emigrantët me të ardhura të ndryshme të jetojnë dhe punojnë përgjithmonë në SHBA, por këto viza do t’u shkojnë “njerëzve të nivelit të lartë”.
“Njerëzit që mund të paguajnë 5 milionë dollarë, do të krijojnë dhe vende pune. Do të shitet me ritme të çmendura. Është goxha ofertë”, tha Trump.
Sekretari i Tregtisë, Howard Lutnick, gjithashtu në takim, tha se vizat e arta do të zëvendësonin programin aktual të vizave për investitorët e huaj, por ofroi pak detaje.
Dhjetëra vende anembanë botës ofrojnë një lloj shtetësie sipas programit të investimeve, duke përfshirë disa në Evropë, si Portugalia, e cila jep “viza të arta”, ose qëndrim të përhershëm për të huajt që investojnë 500,000 euro në një fond kualifikues.
Trump tha se kompanitë do të përdorin programin e vizave të arta për të punësuar shtetas të huaj që të punojnë për ta në SHBA.
“Ne duhet të jemi në gjendje mirëpresim njerëz në vend dhe duam njerëz që janë njerëz produktivë”, tha Trump.
Zakonisht, mbajtësit e green card-it në SHBA mund të aplikojnë për shtetësi pas pesë vitesh.
Trump sugjeroi se të ardhurat nga vizat me çmim të lartë mund të përdoren për të shlyer borxhin publik.
Lutnick tha se nisma do të zëvendësojë vizën EB-5, e cila u jep rezidencë të përhershme disa të huajve që investojnë rreth 1 milion dollarë dhe krijojnë të paktën 10 vende pune me kohë të plotë në SHBA.
Duke thënë se programi EB-5 ishte “i mbikëqyrur dobët dhe i ekzekutuar dobët”, Lutnick tha se vizat e arta do të ishin një përmirësim i EB-5.
“Ne do të sigurohemi që ata të jenë qytetarë të mrekullueshëm globalë të klasit botëror” tha Lutnick për aplikantët e ardhshëm të kartës së artë.
Nuk është e qartë se si qeveria do të zgjidhë marrësit, nëse do të ketë përjashtime, ose nëse do të ketë ndonjë kufi se sa karta të arta do lëshohen.
Gjatë vitit fiskal të 2024, Departamenti i Shtetit lëshoi mbi 12,000 viza EB-5, një rekord i lartë për programin./gazetajonë