Për herë të parë, Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Studentëve (PISA) ka matur aftësitë e nxënësve 15 vjeçarë në mbarë botën për të menduar në mënyrë krijuese si një mënyrë për të vlerësuar aftësinë e tyre për t’u angazhuar në mënyrë produktive në gjenerimin, vlerësimin dhe përmirësimin e ideve.

Rezultatet e testit për Shqipërinë janë tronditëse. Qeverisë së majtë socialiste iu deshën 12 vjet për ta renditur Shqipërinë si vendin e fundit në botë.

OECD i ka matur aftësite e nxënësve për mendimin krijues në 64 vende të botës. Në vendin e parë është renditur Singapori me një vlerësim prej 41 pikësh. Shqipëria është renditur e fundit duke u vlerësuar me vetëm 13 pikë. Mesatarja e vendeve të OECD ka rezultuar 33 pikë.

Përkeqësimi dramatik i renditjes së Shqipërisë në Programin e Vlerësimit Ndërkombëtar të Studenteve gjatë viteve të fundit vazhdon të prodhojë rekorde të reja negative. Këtë herë duke u renditur në fundin e fundit. Dhe ky nuk është një tregues abstrakt, i parëndësishëm. Mendimi krijues është një nga aftësitë kryesore në botën e sotme moderne.

Mendimi krijues
Shumë punë, veçanërisht ato në spektrin e lartë të aftësive, i japin përparësi të menduarit krijues. Sipas raportit të Forumit Ekonomik Botëror “Future of Jobs 2023,” të menduarit krijues renditet si aftësia e dytë më e rëndësishme për punëtorët duke qenë pas vetëm mendimit analitik.

Gjetje të ngjashme nga kompani si LinkedIn dhe Deloitte nënvizojnë rolin thelbësor të të menduarit krijues në fuqinë punëtore moderne.

Sot, punëtorët pritet të kontribuojnë në ndryshim, të kërkojnë vazhdimisht mënyra për të përdorur teknologjitë e reja dhe përshtatin metodat e punës për të mbetur konkurrues. Ndërsa dixhitalizimi dhe inteligjenca artificiale përparojnë, premiumi mbi inovacionin, krijimarinë dhe mendimin kritik vazhdon të rriet gjithmonë e më shumë në krahasim me aftësitë rutinë, të cilat janë më të ndjeshme ndaj automatizimit.

Megjithatë, të menduarit krijues nuk ka të bëjë vetëm me të qenit konkurrues në tregun e punës. Ai gjithashtu vepron si një stimul i fuqishëm për të mësuarit në vetvete, duke thelluar përthithjen e dijeve nga studentët si dhe duke stimuluar zhvillimin emocional dhe mirëqënien e tyre.

Një rekord turpi në kufijtë e dramës kombëtare. Teksa bota avancon drejt inteligjencës artificiale, sistemi arsimor i Shqipërisë zhytet thellë e më thellë në injorancë duke paralajmëruar kohë të vështira për të ardhmen e ekonomisë dhe vetë vendit.