Kushdo që mendon se autoritetet shqiptare nuk e luftojnë kontrabandën e naftës, e ka gabim.
Por, natyrisht, nuk luftohet kontrabandë me mijëra ton lëndë djegëse, për të cilat ka akuza të forta publike dhe që kanë “mbyllur” gojën e Drejtorisë së Doganave të Drejtuar nga Gent Gazheli e Shoqatës së Hidrokarbureve, të udhëhequr nga Luigj Aliaj.
Institucionet ligjzbatuese reagojnë me forcën më të ashpër të ligjit për “fakirët”, të cilët guxojnë të fusin në vendin tonë 50 litra karburant, të blerë më lirë në vendet fqinje.
Këtë “forcë ligjore” e ka pësuar në kurrizin e tij 55-vjeçari Gëzim B., nga Prrenjasi. Ai lëvizte shpesh në Strugë të Maqedonisë së Veriut për të kryer blerje të ushqimeve, të cilat janë më lirë në vendin fqinj.
Operacioni “i suksesshëm”
Policia i kishte pikasur lëvizjet e tij të herëpashershme dhe ka krijuar dyshime se ai mund të merrej me veprimtari të paligjshme, e konkretisht me kontrabandë nafte shkruan Boldnews.
Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomik dhe Financiare në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, kishte siguruar informacion se shtetasi Gëzim B. është i implikuar në aktivitetin kriminal të kontrabandës me mallra që paguhen akcizë.
Sipas të dhënave policore, ky person, duke përdorur një mjet Benz, vit prodhimi 2000, kalon nga Qafë-Thana me serbatorin gati bosh dhe kthehet me serbatorin plot. Gjithnjë sipas policisë së Elbasanit, ai, më pas, e shet karburatin me bidona tek fshatarë të ndryshëm të zonës së tij, ndërsa pjesën më të madhe e magazinon në haurin e shtëpisë.
Forcat policore kanë zbuluar gjithashtu se Gëzimi e blen naftën me 120 për litër të Strugë dhe e shet me 150 lekë për litër në Përrenjas, duke kryer “evasion fiskal”, për të cilin, në fakt, dëmi ndaj shtetit është aq minimal, sa edhe i papërfillshëm.
Megjithatë, Policia, e vendosur fuqimisht për të goditur këtë rast kontrabande, merr lejen e prokurorisë së Elbasanit për të krijuar grupe vëzhgimi, me qëllim kapjen në flagrancë të 55-vjeçarit.
Në zbatim të autorizimit në vende publike, policia ka shkuar në 25 Shtator 2024 në shtëpunë e Gëzim B., në Përrenjas. Nga kontrolli, u zbuluan se në magazinën e banesës ishin disa bidona 10 litra dhe disa të tjerë 5 litra, të mbushura në total me rreth 150 litra naftë.
Forcat policore kryen arrestimin në flagrancë të 55-vjeçarit dhe sekuestruan bidonat.
“Naftën e kam për traktorin”
Pas arrestimit, 55-vjeçari ka mohuar në Polici që ai kryen kontrabandë nafte dhe e shet atë. Sipas tij, ai e përdor këtë naftë për qëllime familjare.
Për interesat e tij ekonomike dhe të familjes shkon shpesh herë në Maqedoninë e Veriut, ku furnizohet me ushqime dhe gjithashtu merr dhe furnizon makinën me naftë, ku mbush serbatorin plotë dhe e përdor për makinën e tij.
Ai deklaroi se ka tokë bujqësore, me që është sezoni i punimeve dhe për këtë ka marrë disa herë furnizime me naftë dhe e ka shkarkuar atë në bidonat që iu gjetën në banesë, me qëllim që të ia jepte trakstoristit që të punonte tokën e tij.
Gëzim B., ka deklaruar gjithashtu se ai disponon dhe disa fatura, të cilat janë të naftës të blerë në pikat e karburantit dhe të ushqimeve që ka blerë në Maqedoninë eVeriut. Naftën e ka patur për interesat e tij.
Në vijim, çështja i kalon Prokurorisë së Elbasanit, e cila kërkoi në gjykatë caktimin e masës së sigurimit “detyrim për paraqitje”. Kjo masë u pranua nga trupa gjykuese në 29 shtator 2024.
Një e vit e gjysmë më parë në Durrës u kap anija “Queen Majeed” e nisur nga Bengazi me porositës Shefqet Kastratin duke thyer embargon e OKB ndaj naftës libiane.
Operacioni u krye pasi një ambasadë Perëndimore njoftoi autoritetet doganore shqiptare për çfarë po ndodhte duka ua bërë fakt të kryer. /GazetaJonë