Inteligjenca ushtarake e një shteti thuajse-partner me Shqipërinë po mbikqyrte në fillim të muajit gusht itinerarin e një anijeje të nisur nga portet e Omanit. Destinacioni ishte Porto-Romano në Durrës, pritej të mbërrinte më datën 15 gusht 2024, por papritur anija ngadalësoi kursin drejt Durrësit, Shqipëria ishte bërë lajm në Bloomberg. Lajmi bënte fjalë për një sasi lënde të dyshuar të rrezikshme që shkonte nga Kurumi i Elbasanit, drejt Tajlandës.

Duket se lajmi ndërkombëtar bëri efektin e vet dhe anija e ngarkuar në Oman, e prenotuar në Dubai dhe e faturuar nga Kurumi i Elbasanit, duket se mori një urdhër të dytë për të mos ju afruar Durrësit dhe Porto Romanos për ca kohë.

Hashtag.al ka mësuar nga burime të rezervuara dhe ekskluzive se ajo çfarë duket në pamje të parë si një lojë për depozitim informal mbetjesh nga Kurumi, në fakt dyshohet se fsheh një linjë tregu (depozitim, përpunim, groposje) që përfshin Iranin-Turqinë dhe Shqipërinë, me qëllim lehtësimin e sanksioneve që kanë ndëshkuar industrinë e rëndë iraniane, përfshirë dhe atë ushtarake.

Hashtag.al mësoi se anija në fjalë është nën mbikëqyrje të pandërprerë, sipas të njëjtit burim kjo linjë që implikon kompaninë Kurum dhe shtetin shqiptar ka disa vite që funksionon.

Një paketë voluminoze dokumentesh të siguruara nga Hashtag.al sugjerojnë se të paktën që prej vitit 2022, inteligjenca ushtarake e shteteve thuajse-partnere ka zbuluar një korridor që dyshohet se favorizon industrinë e rëndë iraniane, përfshirë dhe atë ushtarake.

Dokumentet sugjerojnë se ngarkesa e skrapit industrial e porositur nga Kurum në vitin 2022, ishte blerë (në letra) në Oman, ndërsa certifikatat e sigurisë së mallit ishin prodhuar të gjitha në Stamboll të Turqisë. Spedicionin dhe transportin e mbulonte një kompani e paqartë e regjistruar në Dubai.

“Ka disa vite që funksionon kjo linjë, ne dimë konkretisht dhe cilët persona bëjnë koordinimin në Iran. Ata janë dy shtetas turq të quajtur Yucel AKSU dhe Koray Zeytinoglu. Këta të dy komandojnë gjithë korridorin sa i takon logjistikës”, – tha burimi për Hashtag.al.

Konteksti i ngjarjeve

Për shkak të lidhjeve kulturore dhe interesit shtetëror, Irani prej vitesh ka koordinuar me shtetin e Turqisë për kanale të ndryshme biznesi informal, kryesisht të industrisë së rëndë (përfshirë ushtaraken), transportin detar ndërkombëtar dhe tregtisë së floririt.

Pas grushtit të shtetit në vitin 2016 në Turqi, Erdogan kaloi në paranojë me liderët ndërkombëtarë, kryesisht me Obamën, Merkelin dhe Natayahun.

Kjo paranojë e Erdoganit i dha vlerë aksidentalisht Edi Ramës në Tiranë.

Duke qenë se liderët perëndimorë kishin dhe punë që donin t’i kryenin dhe të bashkëpunonin me Turqinë, u duhej një kanal i besuar komunikimi.

Edi Rama ka shërbyer si “back-channel” i Erdoganit dhe ky aksident i vitit 2016 ndikoi që të forcohej dhe më tej lidhja mes tyre.

Por duket se kjo lidhje “e ka bishtin mbrapa” dhe industria turke e stacionuar në Elbasan dyshohet si e implikuar në korridorin e biznesit, Kurum është nën mbikëqyrje si kompani e implikuar në lehtësimin e embargos ndaj industrisë së rëndë iraniane.

Por nëse Kurum është një markë turke dhe përgjegjësi e shtetit turk, portet dhe siguria kufitare janë faturë e Shqipërisë.

Nëse shtetet që po dokumentojnë funksionimin e kësaj linje vendosin nisjen e një procedurë ligjore, nuk do ishte çudi që Porto Romano të sanksionohej ndërkombëtarisht si port.

Ndërkohë që burimi i Hashtag.al shton:

“Lexoni me vëmendje dhe mbi rastin e denoncuar në Bloomberg. Para se të shkonte në Tailandë, anija fiku sistemin koordinativ pranë brigjeve të Afrikës së Jugut. Afrika e Jugut është ndër të paktat shtete që së bashku me Iranin dhe Turqinë kanë kërkuar zbatimin e fletë-arrestit ndërkombëtar për kryeministrin e Izraelit Benjamin Netanyahu. Duket sikur ky korridor aksesi ndërkombëtar i përmbledh të gjithë aktorët që mendojnë si Irani”,  u shpreh burimi.

Hashtag.al