
Një 25-vjeçar është arrestuar mbrëmjen e sotme në Berat, për vjedhjen e disa banesave. Sipas News24, në pranga është vendosur shtetasi Andrea Zerollari, i cili ishte kthyer në “makthin” e banorëve të qytetit.
Deri më tani janë dokumentuar 4 raste të vjedhjes nëpër banesa gjatë mbrëmjeve, dy prej të cilave janë kryer gjatë ditëve të fundit.
I riu grabiste vlera monetare në banesa si dhe pajisje të ndryshme elektronike. Zerollari, i dënuar 3-herë më parë për vjedhje, u kap në flagrancë gjatë tentativës për t’u futur në një banesë private në zonën e “Bregut të lumit”.
Mësohet se 25-vjeçari ishte prej disa ditësh nën vëzhgim nga policia, që kishte siguruar në rrugë operative informacionin për vjedhjen që do të kryente i riu mbrëmjen e sotme.
Policia po punon edhe për zbardhjen e disa vjedhjeve të tjera banesash, që dyshohet se autor është Zerollari.