Ndarja nga jeta e Erisës, studentës 22 vjeçare e cila humbi jetën në një aksident rrugor ka tronditur pedagogë dhe studentë të universitetit ku ajo studionte.
Erisa Aliaj ndërroi jtë në spital dje (21 qershor) një ditë pasi u përplas nga makina mbrëmjen e 20 qershorit në lagjen nr.17 në Durrës.
Fakulteti i Shkencave Politike Juridike – UAMD në Universitetin Aleksandër Moisiu, Durrës e kujton Erisën si një studente të dalluar e cila ndiqte ciklin e dytë të studimeve në Masterin ‘Komunikim Publik’ pranë Departamentit të Shkencave Politike, pasi kishte mbaruar studimet Bachelor pranë këtij Fakulteti.
“Ajo ishte një studente aktive, e cila angazhohej në të gjitha aktivitetet e Fakultetit. Erisa ishte një vajzë e dashur, me sjellje të shkëlqyer, gjithmonë në krah të shokëve e shoqeve. Ajo ishte pjesëmarrëse në disa projekte në Fakultet, ku dallohej për aftësitë dhe kompetencat, çka e bënin aq të veçantë e të respektuar mes pedagogësh e studentësh. Në këto momente, i qëndrojmë pranë familjes. Kujtimi i Erisës do jetojë përherë” shkruhet ne faqen e facebook të fakultetit.
E reja, nga Tropoja ishte studente në Universitetin e Durrësit dhe ka qenë duke kaluar rrugën në momentin që është përplasur nga makina. Ndërkohë policia ka arrestuar 24 vjeçarin Indrit Ukra i cili drejtonte makinën që përplasi të renë.