Në një dokument zyrtar të Parlamentit grek në vitin 2013, ku përmenden personazhe të përfshira në grupe kriminale të përfshira në gjobvënie, vrasje, pastrim parash etj, nënvizohet edhe emri i 47-vjeçarit nga Mesopotami i Finiqit, i vrarë sot në Athinë, Irakli Davella.

Ky i fundit rezulton të jetë një personazh kontrovers, me lidhje të forta midis Athinës, Korfuzit e Sarandës, madje edhe pronar i pasurive të paluajtshme në këto vende.

Bëhet fjalë për diskutim të partisë “SYRIZA”, mbështetur edhe me dokumente zyrtarë dhe disa të marra nga mediat greke, lidhur me veprimtarinë e njëri prej pjestarëve të këtyre grupeve kriminale.

Mes të tjerash, në dokument, pasqyrohen emrat e pjesëtarëve të disa grupeve. Konkretisht në grupin e cilësuar “B”, ku përfshihen mafiozët grekë Vasilis Grivas (vrarë në 2017), Jorgos Litsas (vrarë në 2018) dhe Manolis Karaggianis (vrarë në 2018), rezulton edhe emri i Irakli N. Davella.

Mes emrave të këtij grupi, ku janë shumë shqiptarë të tjerë, bie në sy edhe ai i Evis Shytit, një 40-vjec shqiptar i arrestuar sivjet si pjesëtar i një grupi gjobvënësish, i përfshirë edhe në një rast shpërthimi eksplozivi në muajin mars në Pire. Grupi ku përfshihet Davella rezulton i akuzuar për “organizatë kriminale”, “vrasje”, “tentativë vrasje”, “gjobvënie”, “grabitje”, “tentativë mashtrimi”, “pastrim parash” etj. Nuk dihet ekzaktësisht se në cilën nga këto vepra të grupit ka qenë i përfshirë ekzaktësisht 47-vjecari shqiptar.

Bizneset e Irakli Davellës

Irakli Davella rezulton të ketë marrë nënshtetësi greke në vitin 2009. Ai është pronar i një lokali në zonën e Peristerit në Athinë dhe gjatë verës jepte edhe automjete me qera në ishujt grekë.

Në vitin 2006 ai rezulton të ketë rregjistruar me vendim të Gjykatës së Sarandës, një biznes “Kafe-Bar-Restorant, si dhe tregëtimin e e artikujve të ndryshëm dhe ushqimor e pije alkoolike me pakicë dhe shumicë” në Delvinë, biznes i cili rezulton ende aktiv me NIPT K66424544U me qendër në Mesopotam, Bashkia Finiq.

Gjithashtu në vitin 2020 ai rezulton të ketë regjistruar biznes në fshatin Xarrë të Bashkisë Konispol për kultivimin e agrumeve, i cili tashmë është çregjistruar.