gaza

Izraeli ka bërë një sulm masiv në Gazë siç nuk ndodhte prej muajsh. Qindra të vdekur dhe të plagosur, shumë nga të cilët janë fëmijë.

Kryeministri izraelit, Benjamin Nentnyahu, tha se sulmet e kryera në Gazë, që lanë të vrarë qindra persona, shumica gra dhe fëmijë, janë “vetëm fillimi”, duke shtuar se Izraeli do të vazhdojë derisa të arrijë të gjitha qëllimet e luftës: të shkatërrojë Hamasin dhe të lirojë të gjitha pengjet që mbahen nga grupi palestinezë, që është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Netanyahu urdhëroi sulmet që vranë mbi 400 persona, pasi Hamasi refuzoi kërkesën që të ndryshohet marrëveshja e armëpushimit e arritur në janar.

Netanyahu tha se negociatat e ardhshme për armëpushimin do të mbahen “nën zjarr”.

Ushtria izraelite ka urdhëruar njerëzit që të largohen nga lindja e Gazës dhe të nisen drejt qendrës së territorit, duke lënë të kuptohet se Izraeli së shpejti mund të nisë operacione tokësore.

Fushata e re ushtarake vjen pasi grupet e ndihmës kanë paralajmëruar se po mbarojnë furnizimet, dy javë pasi Izraeli ndërpreu të gjitha furnizimet me ushqime, ilaçe dhe karburante e mallra të tjera për 2 milionë palestinezët në Gazë.

“Izraeli nga tani e tutje do të veprojë kundër Hamasit me fuqi të shtuar ushtarake”, tha zyra e Netanyahut.

Më shumë se 400 njerëz thuhet se janë vrarë pasi Izraeli nisi bombardime vdekjeprurëse në Rripin e Gazën, Liban dhe në jug të Sirisë kundër, siç tha, ekstremistëve që po planifikojnë sulme terroriste.

Save the Children deklaruan se mbi 130 të vdekur janë fëmijë dhe shumë gra kanë mbetura viktima nga sulmi.

Bombardime izraelite kërcënojnë shpërthimin e një konflikti të ri dhe të përgjakshëm rajonal.

Netanyahu deklaroi të hënë në mbrëmje se e udhëzoi ushtrinë të ndërmarrë “veprime të fuqishme” kundër Hamasit për shkak se ky grup i mbështetur nga Irani nuk pranoi t’i lirojë pengjet e mbetura dhe i hodhi poshtë propozimet për një armëpushim të ri.

“Izraeli, nga ky çast, do të veprojë me forcë ushtarake kundër Hamasit”, tha zyra e Netanyahut në një komunikatë.

Duke cituar zyrtarët shëndetësorë nën kontrollin e Hamasit, disa media raportuan se numri i të vdekurve në të gjithë Rripin e Gazës ka arritur në të paktën 404 njerëz nga bombardimet izraelite.

Koordinatori Humanitar i Kombeve të Bashkuara për Territorin e Pushtuar Palestinez i quajti “të paarsyeshme” bombardimet dhe kërkoi rikthim të menjëhershëm të armëpushimit.

“Njerëzit në Gazë kanë duruar vuajtje që nuk mund të përshkruhen. Përfundimi i armiqësive, ndihma humanitare e qëndrueshme, lirimi i pengjeve dhe rikthimi i shërbimeve bazë dhe jetesës së njerëzve janë mënyra e vetme për të ecur përpara”, tha Muhannad Hadi.

Njëkohësisht, ushtria izraelite tha se ka kryer sulme ajrore edhe në Libanin jugor dhe Sirinë jugore.

Ushtria izraelite tha se sulmet në Gazë kishin në shënjestër liderë dhe komandantë të nivelit të mesëm të Hamasit, si dhe infrastrukturën e grupit.

Ajo deklaroi se është e gatshme t’i vazhdojë sulmet kundër Hamasit për aq gjatë sa të jetë e nevojshme.

Shtëpia e Bardhë u konsultua nga Izraeli për sulmet e fundit në Gazë, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë për Fox Neës.

“Ashtu siç e ka bërë të qartë presidenti [Donald] Trump – Hamasi, Huthit [në Jemen], Irani, të gjithë ata që synojnë ta terrorizojnë jo vetëm Izraelin, por edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të përballen me pasoja. Do të shpërthejë ferri”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.

Më 5 mars, Trump paralajmëroi Hamasin se do të përballet me “ferr” nëse nuk i liron menjëherë të gjithë pengjet, pas konfirmimit nga Shtëpia e Bardhë se kishte zhvilluar bisedime të fshehta me grupin ekstremist.

Agjencia e lajmeve Reuters citoi një zyrtar të lartë të Hamasit duke thënë se Izraeli po “po i jep fund në mënyrë të njëanshme” marrëveshjes për armëpushimin në Gazë dhe se kjo e vë në rrezik fatin e pengjeve izraelite që mbahen ende në Gazë.

Izraeli dhe Hamasi kanë mospajtime për mënyrën e vazhdimit të armëpushimit me tre faza, i cili filloi më 19 janar, duke përfshirë shkëmbimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi me të burgosur palestinezë në burgjet izraelite.