Një 21-vjeçar, i identifikuar si Bruce Tchantcou, është vendosur në pranga pasi është kapur në Rinas me valixhen plot kanabis. Siç bën me dije Policia e Shtetit, në kuadër të operacionit “Fluturimi”, i riu brenda valixhes së tij kishte 26 kg e 700 gramë kanabis. I riu po udhëtonte nga Dubai drejt Rinasit, ndërsa Policia vijon nga puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që ishin në pritje të “mallit” që vinte në Shqipëri. Vetë i riu pretendon se nuk e di kush do t’ja merrte drogën.
“Drogën e mora në Tajlandë, në Shqipëri nuk e di se kush e priste,”-tha i riu i prangosur.
NJOFTIMI I POLICISË:
Rinas/Parandalohet dhe goditet një rast i tentativës për të futur lëndë narkotike nga Dubai në Tiranë.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Fluturimi”, nga Komisariati i Policisë Rinas, autoritetet doganore të Rinasit dhe Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë. Trafikoi nga Dubai në Tiranë, 26 kg e 700 gramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis që e kishte fshehur në bagazhet e tij, kapet në Rinas dhe arrestohet në flagrancë 21-vjeçari.
Sekuestrohet sasia e lëndës narkotike.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Rinas në bashkëpunim me autoritetet doganore në kuadër të kontrolleve të shtuara për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë dhe në veçanti të trafikimit të lëndëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore se një shtetas që do të udhëtonte nga Dubai drejt Rinasit, kishte fshehur në bagazhet e tij, sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, menjëherë kanë organizuar punën dhe në bashkëpunim me Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Fluturimi”.
Gjatë këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasit B. T., 21 vjeç, banues në Luksemburg. Gjatë kontrollit në bagazhet e 21-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 26 kilogramë e 700 gramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.