Policia e Tiranës ka reaguar pas ngjarjes tragjike ku Han Dragjoshi, një punonjës sigurie i kompanisë “Illyrian Guard” humbi jetën pasi ra në kontakt me energjinë elektrike gjatë detyrës në “Albcontrol”.
Sipas deklaratës së policisë, incidenti ndodhi në një kabinë elektrike që ndodhej disa metra larg vendit ku punonjësi kryente detyrën e tij, një fakt ky që çuditërisht është theksuar posaçërisht në njoftimin zyrtar.
Lajmi u konfirmua fillimisht nga familjarët, të cilët shprehën shqetësimin për vonesën e reagimit të shërbimit të emergjencës dhe për mungesën e informacionit nga “Illyrian Guard” në lidhje me ngjarjen. Policia bëri të ditur se punonjësi 56-vjeçar u dërgua në spital për trajtim mjekësor, por për shkak të dëmtimeve të marra nga rryma elektrike, ai ndërroi jetë.
Njoftimi i policisë:
Më datë 09.11.2024, është paraqitur në spital për ndihmë mjekësore shtetasi H. D., 56 vjeç, punonjës i Shërbimit Privat të Sigurisë Fizike, i cili dyshohet se gjatë orarit të punës, ka rënë në kontakt me rrymën elektrike në një kabinë elektrike (disa metra larg vendit ku kryente shërbimin). Si pasojë e dëmtimeve të marra ky shtetas ka ndërruar jetë në spital. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.