0-2025-02-10T151121

Janë larguar nga blloku i sigurisë makinat që shoqëruan kryebashkiakun Erion Veliaj tek “Mine Peza”.

Veliaj u arrestua me urdhër të SPAK në ambientet e Bashkisë Tiranë. Më pas ai u shoqërua nga agjentët e BKH-së tek blloku sigurisë.

Pasi kryebashkiaku u dorëzua tek “Mine Peza”, makina e drejtorisë së Policisë së Tiranës dhe ajo e Erion Veliajt u larguan nga ambientet e bllokut të sigurisë.

Gjithashtu është caktuar masë “arrest shtëpie” ndaj bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, e cila rezulton të jetë larguar drejt Romës më 8 Shkurt.

Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, GJKKO ka lëshuar masa sigurie edhe për 5 biznesmenë, si të përfshirë në çështjan ku akuzohet kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Bëhet fjalë për biznesmenët Gentian Sulën, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha. Këta biznesmenë njihen si përfitues të tenderëve nga Bashkia e Tiranës.

Prokuroria e Posaçme, më 27 Dhjetor 2024, njoftoi se ndaj Erion Veliajt kishte nisur hetim pas një kallëzimi të bërë nga një shtetas i vetëidentifikuar si Nesti Angoni.

Sipas SPAK, në lidhje me hetimet që kishin përfshirë kryebashkiakun e Veliaj dhe familjarë të tij, kishte të dhëna konkrete jo vetëm për “korrupsion pasiv”, por edhe për vepra të tjera penale si “korrupsion aktiv”, “pastrim parash” dhe “fshehje pasurish”.