Kompania e mikrokreditit në Shqipëri paraqiten me emra të ndryshëm.
Por, qasja e tyre për të aplikuar kamata të ekzagjeruara ndaj qytetarëve debitorë, është e njëjtë.
Rasti më flagrant i abuzimit janë kompanitë “MCA” dhe “Final”, të cilat aktualisht janë nën sekuestro dhe pronarët e administratorët e tyre gjenden të paraburgosur prej disa muajsh, pas një hetimi të kryer nga Prokuroria e Tiranës.
Po ashtu, “Boldnews.al” ka raportuar më herët se edhe një tjetër shoqëri mikrokrediti, “Tranzit”, aplikon kamatë-vonesa abuzive, aq sa u detyrua Gjykata e Tiranës që të miratonte një seri vendimesh për t’i vënë fre sjelljes anti-ligjore të saj.
Por, nuk përfundon këtu. Një tjetër shoqëri mikrokrediti aplikon kamata abuzive për klientët, të cilët nuk kanë paguar në kohë huanë financiare të marrë në institucionet financiare.
Kompania “Credital” gjithashtu prezanton një sjellje abuzive ndaj qytetarëve. Për ta konkretizuar, redaksia ka siguruar një vendim të Gjykatës së Tiranës, i marrë vetëm pak ditë më parë, në 29 shtator 2024.
Shoqëria e mikrokreditit, “Credital”, i ka kërkuar gjykatës lëshimin e urdhërit të ekzekutimit për një debitor, duke kërkuar si kamatë vonesë gati dyfishin e kredisë që qytetari kishte marrë. Gjykata e refuzoi këtë kërkesë, duke e konsideruar si “të palogjikshme”.
Kamata abuziveShtetasi I.A., një 30-vjeçar nga Kukësi, por me banim në Tiranë, kishte marrë një kredi tek “Iute Credit” në qershor të vitit 2021, në shumën 346 mijë lekë.
Në vijim, ai nuk kishte pasur mundësi që të shlyente detyrimin financiar.
Në datë 27.09.2022 ndërmjet shoqërisë “IuteCredit” sha dhe shoqërisë “Credital” është lidhur “Kontratë Kredie Konsumatore”.
Sipas kësaj kontrate, “Iute” i shet kreditë “e këqija” kompanisë “Credital”. Mes këtyre “kredive të këqija’ ishte edhe ajo e 30-vjeçarit, I.A.
Shoqëria “Credital”, në janar të vitit 2024, njofton kredimarrësin për përmbushjen e detyrimeve të papaguara në mënyrë vullnetare.
Nga ana e debitorit nuk është shlyer detyrimi në afatet e përcaktuara në kontratë, duke ndërprerë marrëdheniet e pagesës dhe duke qenë në vonesë.
Në këto kushte, “Credital” i drejtohet Gjykatës së Tiranës për lëshimin e urdhërit të ekzekutimit për detyrimin e shtetasit I.A.
Në kërkesat e kompanisë së mikrokreditit drejtuar Gjykatës, ajo kërkon që debitori I.A. t’i kthejë shumën prej 557.5 milionë lekë të reja.
Gjykata e Tiranës pranoi pjesërisht kërkesën e “Credital”, duke lëshuar urdhërin e ekzekutimit për principalin e kredisë, si edhe për interesat, që shkonin në një vlerë totale prej rreth 450 mijë lekë të reja.
Ndërsa, përsa i përket kamatë-vonesave, të cilat sipas llogarive të “Credital” shkonin në mbi 1 milionë lekë të vjetra, gjykata i refuzoi, duke i konsideruar të palogjikshme.
Në vendimin e siguruar nga “Boldnews.al”, gjykata e Tiranës argumenton se “Detyrimi i pretenduar sipas zërave përkatës, nuk bazohet në logjikë ekonomike.
Evidentohet se zëri “kamatëvonesa” është kusht kontraktor i pavlefshëm, pasi sjell humbje ose dëmtim të shpërpjestuar të palës kontraktuese, në kushtet kur kjo vlerë përafrohet me vlerën e principalit të detyrimit.
Ky kërkim e vendos kredimarrësin në pozita të pafavorshme e që nuk janë rrjedhojë e një situate risku kontraktor normal. Në konkluzion, në kushtet kur ky kërkim rezulton i pabazuar, kjo kërkesë duhet rrëzuar”.
Kush është “Credital”Shoqëria është regjistruar në vitin 2019, me emrin “Micro Credit Risk” (MRC”). Në vitin 2022, asambleja e ortakëve vendosi ndryshimin e emrit, duke e quajtur “Credital”.Ortakët themelues të shoqërisë së mikrokreditit ishin zyra ligjore “Angelus Lex”, Klea Kacupi dhe Dashnor Osmani.
Prej vitit 2022, “Credital” zotërohet 100 përqind nga “Angelus Lex”.
Kjo zyrë ligjore zotërohet nga biznesmeni Elton Janina, i cili është njëkohësisht edhe bashkëshorti i ambasadores së Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB).