Qeveria nxitoi të njoftonte para zgjedhjeve lokale të 14 majit rritjen e pagave për administratën.

Por sot, 3 muaj pas vendimit, disa prej buxhetorëve nuk e kanë shijuar ende “shtesën” e njoftuar me bujë nga Qeveria.

Sipas vendimit të Qeverisë, buxhetorët në muajin e prill do të përfitonin një shtesë page, të ndarë sipas kategorive.

Megjithatë kjo nuk ndodhi atëherë. Nuk ndodhi as në maj dhe nuk ndodhi as në qershor.

Me një buzëqeshje të stampuar në fytyrë pas mbledhjes së Qeverisë së datës 16 qershor, Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, shpjegoi se “javën e ardhshme të gjithë institucionet do të paguajnë shtesat e pagës për punonjësit për muajin prill dhe maj. Ndërkohë, nga muaji tjetër do të marrin pagat e rritura sipas vendimit të Këshillit të Ministrave”.

Por edhe pas kësaj deklarate, mësohet se mësuesit në të gjithë vendin nuk kanë marrë ende shtesën e premtuar.

Nuk dihet nëse vonesa vjen për shkak të shkak të procedurave burokratike apo nëse qeveria është në krizë financiare…