Tentativa e një të reje venezuelase për të bërë shaka para nënpunësit shtetëror që certifikon martesat, i ka shkatërruar atë që duhet të ishte momenti më i bukur i jetës së saj.
Vajza e quajtur Miriam, në momentin kur nënpunësi e pyeti nëse donte të martohej me të fejuarin u përgjigj në formë batute “jo”, por u kujtua shpejt të linte të ditur se po bënte shaka.
Edhe pse më pas nxitoi të saktësonte se bëhej fjalë për një shaka dhe tha “po-në” që pritej, asaj iu tha se në atë moment martesa nuk mund të celebrohej më.
Historia ka ndodhur në Karakas të Venezuelës, ku Miriami thjesht donte të bënte shaka me të dashurin e saj, Danilon.
Por nëpunësi vendor i gjendjes civile e mori seriozisht shakanë. Madje, ai i tha nuses së re: “Jo, nuk mund të bësh shaka. Fatkeqësisht, sot nuk do të bëjmë dot dasmën, mund të flasësh me sekretaren dhe të biesh dakord për një datë tjetër“.
Skena u filmua nga të ftuarit në dasmë dhe më pas video u shpërnda në TikTok, ku u bë virale.
Kur nënpunësi i komunikoi nuses se nuk mund ta martonte më me të dashurin e saj, salla ngriu dhe dhëndri e humbi ngjyrën, ndërsa Miriam shihet e tronditur.
Por nëpunësi i shtetit nxitoi të shpjegonte qëndrimin e tij.
“Kjo pyetje bëhet sepse, për fat të keq, ndonjëherë, njerëzit e përfshirë në dasma detyrohen të thonë “po” pa pëlqimin e tyre. Kjo është arsyeja pse nuk lejohet asnjë lloj shakaje“, tha ai.