Ditën e sotme kanë dalë pamjet e një videoje të turpshme ku Drejtori i Policisë Rrugore Altin Qato godet qytetarin me shpullë, i cili nuk po rezistonte
Banorët e Krujës dhe Fushë Krujës u mblodhën sërish sot në protestë, ku përplasjet me policinë nuk kanë munguar edhe këtë herë. Madje ndërhyrja ka qenë edhe nga kreu në Drejtorinë e Policisë Rrugore Altin Qato, i cili ka qëlluar me shpullë një qytetar gjatë protestës së sotme në aksin Thumanë- Kashar.
Mësohet se shkak është bërë ndotja akustike. Kreu i Policisë Rrugore e ka goditur qytetarin pasi ky i fundit i ka rënë borisë pa pushim në rrugë. Pasi kanë dashur ta shoqërojnë, Qato, në neva e sipër e ka qëlluar me shpullë.
Në videon e siguruar nga Gazeta JONË shihet se Qato e nxjerr nga makina të riun dhe e qëllon me shpullë. Në pamje shihet se efektivët e tjerë rrijnë në këmbë dhe nuk bëjnë asnjë veprim.
Kjo është protesta e tretë që banorët zhvillojnë, ku shprehen se nuk kanë hyrje-dalje dhe se për të hyrë në rrugë, duhet që të shkojnë në Rinas.
Banorët ankohen se bizneset e tyre janë duke falimentuar, pasi automjetet nuk kanë kalojnë më aty. Ata kanë kërkuar nga institucionet që të marrin masa dhe t’i krijojnë aksesin banorëve të zonës. /Gazeta Jonë