
Një sherr i paprecedentë mes punonjësve e pronarëve të dy agjencive funerale që operojnë prej vitesh në qytetin e Fierit “ Emini” dhe “ Siqeca” ka përfunduar në plagosje.
Siç shihet në pamjet e kamerave të sigurisë, agresorët janë drejtuar automjetit të vëllezërve që kanë në pronësi agjencinë funerale “ Siqeca” dhe kanë goditur me shkopinj bejsbolli.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e 3 Marsit, ora 20:50 në vendin e quajtur “rruga e spitalit”.
Video e marrë nga report TV:
38-vjeçari Erjon Siqeca mbeti i plagosur dhe u transportua në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Në konflikt kanë marrë pjesë 4 agresorë, të cilët janë pronarë e punëtorë të agjensisë funerale “Emini”.
Shkak është konkurenca.
Pronarët e funeralit “Emini” u kanë zënë pritë pronarëve të “Siqecas”, duke u kërkuar të mos u prishin punë me klientët.
Një prej autorëve ka rënë në prangat e policisë, ndërsa tre të tjerët janë larguar nga vendi i ngjarjes dhe janë shpallur në kërkim nga blutë e Fierit.
Njoftimi i policisë:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve kundër Personit arrestuan në flagrancë shtetasin K. N., 28 vjeç, dhe shpallën në kërkim shtetasit J. M., 47 vjeç, M. S. 38 vjeç dhe E. Rr., 35 vjeç, të gjithë banues në Fier, pasi dyshohet se për motive konkurrence, kanë goditur me send të fortë dhe kanë kanosur shtetasin E. S., 38 vjeç, banues në Fier.
Ky shtetas aktualisht është në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.
Punohet për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim