Automjetet luksoze që shqiptarët preferojnë t‘i marrin me qira nëpër vendet e BE-së, shpesh janë denoncuar si të vjedhura.

Në fakt, është një mekanizëm i njohur; autorët shkulin GPS-in mjeteve dhe më pas i denoncojnë si të vjedhura. Por një shqiptar dhe një turk kanë rënë në kurthin e kompanisë gjermane që i ka dhënë me qira një nga mjetet më të kushtueshme sportive. Shqiptari ka porositur në Gjermani një Audi të tip R8, i ka hequr mjetit GPS-in dhe më pas ka denoncuar si të vjedhur.

Marrësi i makinës nuk ka mundur të kuptojë se Audi fshihte edhe një tjetër GPS, çka ka dëshmuar gjithë rrugëtimin e makinës dhe ka nxjerrë në pah një skemë mashtrimi që ndodhte me mjetet luksoze. Sipas të dhënave Elvis Kosova, 38- vjeçari i njohur në rrjetet sociale për zhvillimin e garave të shpejtësisë, dyshohet se fshihet pas një skeme mashtrimi nga e cila synonte të bënte të tijën, pa shpenzuar shumë, një makinë që vlen deri në 200 mijë euro. Për të marrë në dorë ‘Audin R8’, dyshohet se Vis Kosova ka bashkëpunuar me një turkogjerman, Yucehan Er 39 vjeç, me banim në Gjermani. Atje, i huaji mori me qira automjetin e ëndrrave të djalit të garave të shpejtësisë dhe e sollinë Shqipëri.

Pasi ia dorëzoi Kosovës, turko-gjermani bëri kallëzim të rremë se supermakinën ia vodhën në afërsi të një hoteli luksoz në Tiranë. Në fakt, nga hetimet, në këtë moment automjeti rezultonte në zonën e Bërzhitës, në duart e 38-vjeçarit shqiptar, i cili më tej e ka çuar në shtëpinë e një 20-vjeçari, në Prush, periferi të Tiranës. Aty, policia e gjeti në oborr të mbuluar me mushama dhe e sekuestroi. Turku dhe Elvis Kosova u arrestuan, ndërsa pronari i shtëpisë në Prush, një 20-vjeçar, është shpallur në kërkim. Të akuzuarit kanë hequr GPS dhe baterinë e makinës, por, në fakt, Audi R8, ka pasur një GPS të dytë, për të cilën ndryshe nga personat që do e vidhnin me skemë mashtrimi, kompania që e lëshoi me qira, kishte dijeni. Pasi u njoftuan autoritetet shqiptare nga Gjermania, plani doli zbuluar. turko-gjermani ka deklaruar se do merrte 10 mijë euro për makinën që do i jepte Elvis Kosovës.

“VISI I GARAVE”

I apasionuar pas makinave të shpejta dhe super të shtrenjta, Elvis Kosova, pronar i një firme që merret me import eksport makinash “Mel Construcions”, nuk e ka për herë të parë të bjerë në duart e policisë për shkelje.

Më herët, gjatë vitit 2022 është hetuar për organizimin e një gare të paligjshme me makina tek Mbikalimi i Patokut. Uniformat blu iu vunë në ndjekje pasi e zbuluan nga videot e hedhura në rrjetet sociale, dhe më tej nga hetimet, rezultoi se Elvis Kosova po e çmontonte në një servis makinën e garës, ndërsa u gjobit nga policia rrugore me 120 mijë lekë të rinj.

Në këtë sfidë, Elvis Kosova, vinte me fitoren e garës Drag Race, zhvilluar në Kosovë gjatë Pandemisë Covid19. I arrestuari i djeshëm Elvis Kosova, nuk është një emër i panjohur për uniformat blu. Ai njihet si një “pilot” garash me shpejtësi gati të njëjtë me ato në Formula Uno dhe madje një prej tyre e ka fituar në “Drag Race” të zhvilluar gjatë kohës së Pandemisë Covid-19 në Kosovë, si përfaqësues i Shqipërisë, në muajin qershor të vitit 2021, me një “Nissan” sportiv.

Lajmin atë kohë e publikonin edhe mediat kosovare, si “Telegrafi” dhe “Indeks Online”, teksa i riu që thirrej edhe si Vis Kosova, është edhe pronari i një subjekti privat për shit-blerje makinash. Por jo vetëm kaq, pasi ka qenë personazh negativ në një rast tjetër, një vit më pas (2022) në aksin LaçMamurras (Lezhë), në zonën e Patokut, ku është akuzuar dhe hetuar si organizator i një gare të paligjshme me makina “Gogi kundër Visit”. Madje duke bllokuar edhe qarkullimin e mjeteve të tjera në këtë autostradë kombëtare.