-640-0-h-1739984769

Policia e Vlorës arrestoi Endrit Sadedinaj, një emër kontrovers i botës së krimit në qytetin bregdetar. Ai u kap me armë pa leje dhe mjet të blinduar, ndërsa më herët Sadedinaj i ka mbijetuar një atentati të miroganizuar me eksploziv.

“Në kuadër të operacionit policor të koduar “Danger”, u bë e mundur që në lagjen “Pavarsia”, pranë Lungomares, të kapej një person me rrezikshmëri të theksuar shoqërore, i cili lëvizte i armatosur.

Bazuar në informacionet e inteligjencës policore dhe pas një operacioni të mirëkoordinuar, shërbimet operacionale bënë të mundur lokalizimin, neutralizimin dhe kapjen e shtetasit E. S., 38 vjeç, person me precedentë penalë të theksuar, i arrestuar dhe i hetuar më parë nga autoritetet e huaja për vepra penale të rënda në fushën e krimeve kundër personit. Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj tij, Policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë, së bashku me një karikator me municion luftarak”, njoftoi policia e Vlorës.

Sadedinaj në momentin që pa shërbimet e Policisë, tentoi të largohej dhe iu drejtoi uniformave armën e zjarrit, por pavarësisht kësaj u vu në pranga.

Policia e Vlorës finalizoi dhe operacionin “Indoor”, ku zbuloi dy shtëpi bari.

“U zbuluan në lagjen “24 Maji”, në katin e parë të një objekti trekatësh, dy ambiente të përshtatura posaçërisht për kultivimin e bimëve narkotike. Gjatë kontrollit të ushtruar brenda këtyre ambienteve të përshtatur për kultivim me anë të llambave, u gjetën dhe u sekuestruan rreth 780 bimë kanabis, ku 482 prej tyre ishin të mbjella në kubikë. Lartësia e bimëve narkotike të kultivuara arrinte në një lartësi 90 deri në 110 cm.  Gjithashtu u sekuestruan 80 llamba të fuqishme ndriçimi, 8 aspiratorë për ajrosjen e ambientit, 80 transformator,  medikamente, plehra kimike dhe pajisje të tjera të specializuara për rritjen e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura”, njoftoi policia. Brenda shtëpive të barit u arrestua një 24 vjeçar nga Mirdita, që kujdesej për bimët e kultivuara dhe siguronte kushtet e nevojshme për mirëmbajtjen e tyre. Ndërsa një tjetër nga Fieri u shpall në kërkim. Ai kishte marrë me qira shtëpitë ku ishte kultivuar hashashi./gazetajone