Kanë kaluar 5 ditë nga vrasja e Klaudio Prendit, djalit të ish-gjyqtarit të Krimeve të Rënda, Fran Prendi, por ende nuk ka emrat e autorëve të ekzekutimit. Gazetari Elton Qyno shkruan për “OraNews”, se Policia e Tiranës po skanon një personazh që njihet në kryeqytet si “Kleo i Freskut”. Por deri më tani, ky person nuk është gjetur për t’u marrë në pyetje.
Ky person, identiteti i plotë i të cilit ende nuk është bërë me dije, ka lidhje miqësore me dy vëllezërit, Erlis dhe Leonard Duka.
Por cila është lidhja me të ndjerin Klaudio Prendin?
Sipas të dhënave që ka mbledhur gazetari, Klaudio Prendi ka pasur një konflikt me “Kleon e Freskut”, gati 5 ditë para se të ndodhte ekzekutimi i 30-vjeçarit. Të dy ishin konfliktuar fizikisht në zonën e njohur si “rrugica e Salës”, ku shkak i sherrit besohet se ka qenë një shumë prej 15 mijë eurosh që viktima ia kishte marrë borxh. Aktualisht kjo është pista kryesore e hetimit, pasi edhe burime të tjera e kanë informuar Policinë e Shtetit se i riu ishte i njohur për lojrat e fatit dhe paratë me fajde.
Ndërkohë një pistë e dytë është dhe ajo e verifikimit të informacioneve se ngjarja mund të ketë ndodhur për shkak të detyrës së babait të viktimës, pasi Fran Prendi ka punuar për disa vite me rradhë si gjyqtar i Krimeve të Rënda dhe Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Të dhënat e siguruara nga policia kriminale bëjnë me dije sekohët e fundit është liruar nga burgu një eksponent i botës së krimit, i cili në vitin 2018, u dënua me burg nga gjyqtari Fran Prendi. Ndaj edhe kjo pistë deri më tani nuk është rrëzuar nga Policia.
Klaudio Prendi, djali i ish-gjyqtarit Fran Prendi, u vra me breshëri plumbash vetëm pak pas mesnatës së të martës, fill sapo doli nga një lokal që ndodhej me miqtë e tij në zonën e Xhamllikut. Autorët, të cilët dyshohet se ishin 3, shoferi, qitësi dhe një person që i ka ndihmuar për t’u larguar nga vendi i ngjarjes e kanë ndjekur prej kohësh djalin e ish-gjyqtarit deri në momentin që ai ka dalë vetëm nga lokali. Sapo po hipte në mjetin e tij, ata kanë qëlluar. I riu mori plagë në kokë dhe në gjoks, të cilat rezultuan fatale për të, edhe pse miqtë e tij e dërguan menjëherë në spital. /gazetajone