Dy vëllezër janë arrestuar për vrasjen e Ramazan Matajt, ngjarje që ndodhi në Dragoç të Shkodrës në fillim të Janarit. Një ngjarje e rëndë që tronditi komunitetin ku jetojnë dy familjet, si e autorëve dhe ajo e viktimës.
Pas rastit, në shtëpinë e familjes Hasaj shkoi kryetari i Shoqatës së Misionarëve të Paqes dhe Pajtimit, Dedë Shullani. Ai mësoi për situatën nga babai i dy autorëve, Rustem Hasaj. Ky i fundit tregoi për gjendjen e tij të rënduar emocionale dhe ekonomike. Ai shprehet se që në momentin që ka marrë vesh ngjarjen ndodhet i ngujuar.
“Unë jam Rusem Hasaj nga fshati Dragoç. Babai i dy djemve që janë të arrestuar. Sot me këtë fatkeqësi që na kanë ndodhur dy palëve, unë e kam bërë dhe një deklaratë, kam kërkuar ndjesë fshatit, familjes, fisit. Sot kam nevojë për shtetin, kam nevojë për individin, se më ka lënë me 4 fëmijë, jam në gjendje ekonomike shumë të dobët. Prandaj ju falënderoj juve si gazetarë që keni ardhur. Nuk kam asnjë lloj dijenie, por e ka çuar Zoti të ndodhë, rreziku im dhe i tij. Kjo më ka rënë bombë në shtëpinë time. Ka ardhur e papritur. Jam vetë i shtati, kam një grua të sëmurë. Kam nusen e djalit, kam 4 fëmijët e djalit që i kam sot në mbijetesë se nuk jam i zoti as me i fitu bukën, as me i marr ilaçet, as me i çuar në shkollë, se nuk kam asnjë të ardhur, as asistencë, as ndihmë prej shtetit. Unë jam në ngujim, ka mbas dy ditëve që e kam marrë vesh nëpërmjet mediave, nëpërmjet shtetit. Unë jam i ngujuar. Jam në gjendje të mjeruar nga ana e ekonomisë. Kurrkujt mos i raft kjo punë”, tregoi ai.
Hasaj rrëfeu se me babain e viktimës kanë qenë në një klasë për 8 vite dhe ngjarja e ka shokuar.
“E kam njohur, e kam pasur shoqëri, kam qenë 8 vjet në një klasë me të dhe s’kemi pasur mosmarrëveshje kurrë me të dhe as me fisin e tij. As me një në katun”, tha Rustem Hasaj.