Fshati Kurjan i Roskovecit është tronditur këtë të martë nga ngjarja e rëndë, ku dy vëllezër, Ladimir dhe Gramoz Kurtaj, u vranë me armë nga bashkëfshatari i tyre, 49-vjeçari Altin Kuka, teksa ndodheshin në lokalin e tyre duke pirë kafe.
Shkak për vrasjen dyshohet të ketë qenë një konflikt mes fëmijëve të autorit dhe njërit prej viktimave. Banorët e zonës kanë shprehur tronditjen e tyre, duke thënë se asgjë nuk mund të justifikojë këtë akt.
“Dy vëllezërit ishin model i shoqërisë, kishin biznese dhe ishin bamirës për Kurjanin dhe Roskovecin. Edhe autori ishte bashkëfshatari jonë, s’dimë çfarë të themi”, ka thënë një banor i zonës.
“Cilido të ketë qenë arsyeja, krimi nuk justifikohet. Para një jave në kemi qenë bashkë, u erdhi vëllai dy viktimave nga Amerika”, tha njëri prej tyre.
“I njoh, janë vëllezër, ishin model i shoqërore, njerëz bamirës. Ai ishte tregtar kishte lokal, tjetri pikë shumice në Roskovec. Autori ka një aktivitet pularie. Ata hanin e pinin bashkë, ka qenë gjë e çastit. Kishin marrëdhënie tepë shoqërore”, tha një tjetër.
Kuka, pas një sherri banal, shkoi bashkë me djalin 21-vjeçar “për t’u sqaruar”, por nuk përfundoi mirë. Në një moment Kuka ka nxjerrë armën e zjarrit tip kallashnikov dhe ka qëlluar mbi dy viktimat duke u marrë jetën në vend. Ndërkohë që vetë ka vendosur që të vetëdorëzohet në Komisariatin e Fierit, të birin e ka udhëzuar që të largohej nga vendi i ngjarjes.