Ka dalë përpara Gjykatës së Tiranës për t’u njohur me masën e sigurisë, 25-vjeçari Darmend Keli, i cili qëlloi për vdekje me thikë Amarildo Hoxhallarin, pasi ky i fundit i ngacmoi të fejuarën.
Keli është parë duke mbajtur duart në kokë, edhe për të shmangur vëmendjen e mediave të pranishme në seancë.
Me masën e sigurisë do të njihet edhe shoku i viktimës, Ardi Marishta, i cili ditën e ngjarjes drejtonte motorin në gjendje të dehur.
Gjykata vendosi masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për të dy të rinjtë.
Keli u vu në pranga disa minuta pas vrasjes që ndodhi të shtunën në zonën e Astirit në Tiranë.
Ai deklaroi para grupit hetimor se fillimisht ka përcjellë të fejuarën e tij te parkimi, ku ajo më pas ka marrë makinën, dhe kur është ngjitur në banesë ka parë se dy persona me motor, po e ngacmonin, duke ecur paralelisht me mjetin e saj.
Fillimisht ai thotë se iu ka folur personave në fjalë nga ballkoni, dhe më pas ka zbritur me shpejtësi nga banesa. Keli pretendon se Hoxhallari e ka ofenduar dhe më pas e ka goditur me grusht, dhe më pas ai i është përgjigjur duke e qëlluar me thikën që kishte marrë nga shtëpia.
“Përcolla të fejuarën për tek parkimi dhe u ngjita për në shtëpi. Kur dola në ballkon pashë që një motor po e ndiqte dhe fliste duke e ndjekur paralel në makinë. I fola nga ballkoni më pas zbrita. Aty Amarildo Hoxhallari më ofendoi dhe më goditi. Pas përplasjes në një moment e godita me thikën që e kisha marrë nga shtëpia”, ka dëshmuar ai.