Janë mbyllur hetimet, dhe është kaluar për gjykim dosja për vrasjen e Mariglen Gjonajt.
Krimi dyshohet se është kryer nga shtetasi Kristjan Cenaj, 31-vjeç, i cili akuzohet zyrtarisht nga ana e prokurorisë së Lezhës për veprën penale “Vjedhje me pasojë vdekjen”.
Në dosjen e prokurorisë thuhet se në vitin 2015 për një orë “Rolex” Cenaj ekzekutoi mikun e tij, atëherë 16-vjeçar. Eshtrat dhe mbetjet kockore të Mariglen Gjonajt u gjetën në 03 prill 2022 në Fushë Kuqe, pas shumë kërkimeve nga ana e familjarëve.
Cenaj ra në prangat e policisë një vit më parë, vetëm pak minuta pas kishte përfunduar dasmën e të vëllait të tij, ndërsa kishte ardhur nga Italia posaçërisht për këtë gëzim familjar në Kurbin.
Policia dhe prokuroria e Laçit, kishin informacione mbi vizitën e tij, dhe sapo ai ka hyrë në territorin shqiptar, në sistemin TIMS është vendosur shënimi për ndalim dalje në kufi të tij. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se Cenaj është identifikuar si autor i dyshuar i vrasjes së Mariglen Gjonaj përmes qelizave telefonike dhe profilit të tij në “Facebook”.
Më datë 19 maj të vitit 2015, ka rezultuar se në Komisariatin e Policisë Kurbin, ka bërë kallëzim shtetasi F. Gj., se nipi i tij, shtetasi Mariglen Gjonaj, 16-vjeç, banues në fshatin Ferrë Trashë, Kurbin, ishte zhdukur dhe kishin humbur çdo kontakt me të. Lidhur me këtë kallëzim, Prokuroria e Kurbinit nisi hetimet për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja e peng e personit” dhe më pas ia ka transferuar dosjen hetimore Prokurorisë për Krimet e Rënda, Tiranë, bazuar në kompetencën lëndore, për shkak se në momentin e ngjarjes, shtetasi Mariglen Gjonaj ishte i mitur (16 vjeç).
Pas hetimit 2- vjeçar nga ana e Prokurorisë për Krimet e Rënda është vendosur pezullimi i hetimeve, pasi nuk ishte bërë i mundur identifikimi i autorit të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale dhe dosja hetimore e pezulluar i ka kaluar strukturave të specializuara të hetimit në Policinë Lezhë, për veprime të mëtejshme.
Në vijim të veprimeve hetimore ka rezultuar së më datë 03.04.2022, në vendin e quajtur “Shëllinx”, në afërsi të Hidrovorit, në fshatin Adriatik, në Fushë Kuqe, Kurbin, u gjetën eshtra dhe mbetje kockore humane, të cilat pas ekspertimit biologjik, rezultoi se i përkisnin shtetasit të zhdukur 7 vjet më parë, të miturit 16-vjeçar Mareglen Gjonaj.
Pas rifillimit të hetimeve nga Prokuroria lokale duke përfshirë edhe ekspertët më të mirë të Policisë, nëpërmjet marrjes së dëshmive, ballafaqimeve, si dhe analizës së tabulateve dhe qelizave telefonike, në interes të këtij hetimi, kanë bërë të mundur identifikimin e autorit të ngjarjes, shtetasit Kristjan Cenaj, lindur në Mamurras dhe banues në Ferrë Trashë, Kurbin.
I riu akuzohet për veprën penale “Vjedhja me pasojë vdekjen”. Ndalimi tij është bërë pasi më datë 18.05.2015, dyshohet se ka vrarë të miturin 16-vjeçar Gjonaj, për përfitim pasuror, konkretisht vjedhjen e disa sendeve me vlerë, si orë dore e markës “Rolex” dhe varëse floriri etj., që i mituri i ka pasur me vete ditën e ngjarjes kur është zhdukur.
Ekspertët mjekoligjorë kanë dalë në përfundimin se eshtrat rezultojnë të jenë të dëmtuara me mjete të forta.