Gjykata e Fierit ka lënë në burg Xhuljano Miho, autor i vrasjes së të riut i cili bashkëjetonte me ish-partneren e tij.
Avokati i Mihos ka thënë se ai është penduar për krimin që ka bërë dhe se sipas tij, thikën e ka pasur viktima dhe se ai ia ka marrë armën e ftohtë gjatë përplasjes fizike, e më pas e ka qëlluar.
Kujtojmë se ngjarja ndodhi mbrëmjen e 5 korrikut, në Fier, 23-vjeçari Xhimi Bakaj ndërroi jetë në spital pas plagëve të marra.
“Gruaja më merrte në telefon dhe më thoshte se po kënaqej me të dashurin e ri, më kërkonte para për fëmijët. Edhe Xhimi më vinte te puna dhe më bënte karshillëk”, është shprehur autori i dyshuar, 39-vjeçar.
Shkak për vrasjen e të riut dyshohet se është bërë divorci mes autorit dhe bashkëshortes me të cilën ka dy fëmijë. Kjo e fundit kishte disa muaj që ishte larguar nga banesa bashkë me fëmijët dhe bashkëjetonte me 23-vjeçarin.
Autori e ka takuar në rrugë viktimën dhe pas një debati e ka qëlluar tri herë me thikë.