Një ditë më parë policia zbardhi vrasjen e 81-vjeçarit Xhemal Meta në Zall Bastar, ndërsa në pranga u vu autori i krimit, Isuf Hasa 64 vjeç, i cili ka pranuar krimin.

Në dëshminë e tij para autoriteteve autori u shpreh se shkak i vrasjes ka qenë pasi viktima i ngacmonte gruan.

Hasa tregon se ai punonte roje nate dhe kishte raste që nuk shkonte për disa netë në shtëpi.

Sipas tij, Xhemali e merrte në telefon dhe i thoshte që ‘si nuk na dhe një herë nga rakia e gruas tënde’.

Ai tregon se nuk e ka duruar dot më, duke kryer edhe vrasjen.

“Më 13 janar shkova në mëngjes në shtëpinë e Xhemalit dhe konsumuam kafe. Pasi mbaruam, do të shkonim në lokalin e fshatit. Në oborrin e shtëpisë së tij pashë çekiçin dhe e mora e qëllova nga pas. E qëllova pasi kishte shumë kohë që më ofendonte. Kisha kuptuar që më ngacmonte gruan. Unë punoj roje nate në Dajt dhe kishte raste nuk shkoja disa netë në shtëpi. Xhemali më merrte në telefon dhe më thoshte që si nuk na dhe një herë nga rakia e gruas tënde. Kisha kohë që nuk po e duroja dot. Pasi e vrava i mora lekët. E dija që kishte lekë sepse m’i kishte treguar po ai vetë. Më pas kam shkuar tek stacioni elektrik dhe deri në Tiranë kam zbritur me një makinë të tyre. Më pas shkova tek shtëpia e vajzës në Vorë ku fsheha çekiçin”, tregoi 64-vjeçari Hasa.