Për ta blerë, duhej të takoje “shitësin” personalisht dhe të sillje para në dorë. Ndonjëherë ai kërkonte të takoheshin në hollin e një hoteli, ndonjëherë në një kafene. Protokolli i sigurisë ishte shumë i rreptë.

Vetë shitësi kishte pak pajisje, të siguruara me kujdes nga eprori i tij më i lartë. Dhe ai hynte në negociata vetëm pasi të kishte verifikuar dhe të sigurohej që blerësi nuk ishte agjent i zbatimit të ligjit.

Cili ishte produkti i lakmuar? Jo droga, jo armët – por privatësia. Këta tregtarë shisnin telefona të modifikuar posaçërisht nga kompania kanadeze “Sky Global”, e cila mburrej se kriteret e tyre unike të sigurisë i bënin praktikisht të papërgjueshëm (uncrackable).

Në pamje, pajisjet ishin si “Blackberries” ose “iPhone” i zakonshëm. Por në brendësi ishin ndryshe: kamera, mikrofoni dhe GPS i tyre ishin të çaktivizuar dhe telefonat kishin tashmë të instaluar një aplikacion special të mesazheve të koduara “Sky ECC”, i fshehur nën ikonën e makinës llogaritëse. Mesazhet e dërguara përmes këtij aplikacioni ishin të koduara dhe plotësisht të sigurta nga pikëpamja e përgjimit – të paktën në teori.

Por në shkurt dhe mars 2021, një forcë e përbashkët e agjencive evropiane të zbatimit të ligjit, e udhëhequr nga hetues belg, holandez dhe francez, arriti të depërtonte në Sky Global duke monitoruar serverët e saj, duke u dhënë atyre një vështrim të paprecedentë mbi atë që po ndodhte në telefonat e saj. Rreth të njëjtës kohë, CEO i Sky Global, Jean-Francois Eap, u akuzua në Shtetet e Bashkuara për lehtësimin e trafikut të drogës. Këtë gusht, pas një hetimi shumëvjeçar, ai u akuzua gjithashtu në Francë së bashku me 30 të tjerë për një sërë akuzash, përfshirë bashkëpunimin kriminal dhe pastrimin e parave. (Një gjyq për rastin francez pritet të fillojë vitin e ardhshëm, ndërsa statusi aktual i rastit në SHBA mbetet i paqartë. Eap dhe figura të tjera të lidhura me Sky kanë mohuar çdo shkelje.

Mesazhet e deshifruara janë përdorur tashmë si prova në hetimet e dosjeve kriminale në të gjithë Evropën, duke përfshirë një “kartel të fuqishëm” të drogës që Europoli thotë se kontrollonte një të tretën e tregtisë së kokainës në kontinent. Policia i ka quajtur mesazhet Sky të grupeve kriminale si një “minierë ari” për forcat ligj zbatuese.

“Një koleg nga Holanda tha se ishte sikur të ishim ulur në një tavolinë me kriminelët,” tha Catherine de Bolle, një oficere policie belge që drejton Europol. “Dhe vërtet ishte ashtu.”

Gjithë kohës, themeluesi dhe CEO i Sky Global, Jean-Francois Eap, e ka paraqitur veten si një mbrojtës i qëllimshëm i privatësisë, i cili pa dashje u përfshi në një vorbull krimi. Miqtë e tij i thanë The Guardian se ai ishte një “njeri i apasionuar pas startup-eve teknologjike,” i cili nuk kishte pirë asnjëherë as një cigare.

Që nga aktakuza në SHBA, Eap është përpjekur të pastrojë emrin e tij, duke angazhuar një firmë PR dhe duke nisur një fushatë mediatike për të shpjeguar këndvështrimin e tij. Ai dhe Sky Global kanë këmbëngulur se produktet e tyre ishin projektuar për këdo që kishte nevojë për privatësi, nga politikanët te yjet e filmit, edhe pse kanë pranuar se në praktikë disa nga përdoruesit e tyre përfunduan të ishin kriminelë. Por ky, argumenton Eap, është çmimi i ofrimit të privatësisë për ata që kanë nevojë për të.

“Nuk ka asnjë dyshim që unë kam qenë në shënjestër [nga forcat e zbatimit të ligjit], ashtu si edhe Sky ECC ka qenë në shënjestër, vetëm sepse ne ndërtojmë mjete për të mbrojtur të drejtën themelore për privatësi,” tha ai për Vice, pak pas aktakuzës së tij.

Avokatët e Sky Global kanë thënë se kompania bëri maksimumin për të luftuar aktivitetin kriminal, por në fund të fundit, Sky ECC ishte thjesht një mjet teknologjik si çdo tjetër. Në një dosje të gjykatës në SHBA në nëntor 2021 për të kundërshtuar sekuestrimin e domeneve (domains) të saj në internet, avokatët thanë se mbyllja ishte “e barabartë me qeverinë që sekuestron Apple.com sepse trafikantët e drogës përdorin veçoritë e enkriptimit të iPhone.”

“Nuk është kurrë e mundur — pavarësisht për çfarë produkti po flasim — të sigurohemi që askush të mos e keqpërdorë produktin për qëllime të paligjshme,” tha Ashwin Ram, një avokat amerikan që përfaqëson Eap, në një intervistë. “Nuk është ndryshe nga një prodhues armësh… Diku, një armë do të përdoret për qëllime kriminale.”

Aktualisht, referuar dosjeve hetimore franceze të zbuluara, një hetim i OCCRP-së dhe 12 partnerëve të saj ndërkombëtarë ka zbuluar prova të reja që drejtuesit e Sky Global ishin të vetëdijshëm se një numër i përdoruesve të tyre ishin kriminelë – madje vepronin në mënyrë të tillë që të lehtësonin përdorimin kriminal të telefonave.

Rrjeti i shpërndarjes së Sky Global ishte kompleks dhe i paqartë, me disa shtresa shpërndarësish — shpesh me bazë në Kanada — që mbikëqyrnin “rishitësit” e niveleve më të ulëta, të cilët i çonin produktet në duart e përdoruesve të fundit. Këta rishitës zakonisht ishin vendas, shpesh me lidhje me botën kriminale të vendeve të tyre.

Duke gërmuar në kompanitë e shpërndarjes së Sky, gazetarët gjetën më shumë flamuj të kuq: Në një rast, të gjithë drejtorët themelues të një distributori kryesor kishin precedentë penalë. Një tjetër distributor ishte në bashkëpronësi nga një partner biznesi i një të dënuari trafikant armësh.

Dhjetë rishitës me lidhje në Francë u akuzuan nga Gjykata e Parisit në gusht, shtatë prej të cilëve kishin precedentë për vepra penale, përfshirë trafik droge dhe armësh. OCCRPdhe partnerët e The Crime Messenger kanë identifikuar të paktën një duzinë rishitësish të tjerë që gjithashtu kishin rekorde kriminale, shpesh për vepra serioze. Disa prej tyre vazhduan të angazhoheshin me grupe kriminale të organizuara gjatë kohës që shisnin telefonat.

Avokatët e Eap u thanë gazetarëve se rrjeti i shpërndarësve të palëve të treta të Sky ishte i zakonshëm në industrinë e telekomunikacionit dhe se ai kishte synuar të ndërtonte “një rrjet shpërndarjeje që do të nderonte politikat dhe detyrimet kontraktuale të kompanisë.”

Rreth projektit “The Crime Messenger”

Hetimi i “The Crime Messenger” bazohet në rreth 3,800 dosje nga çështjet penale kundër Sky ECC në Francë, ku gjykata e Parisit centralizoi procedurat evropiane kundër kompanisë së aplikacioneve të koduara në vazhdën e operacionit të vitit 2021. Dosjet përfshijnë raporte nga hetimet policore dhe japin prova të gjetura në telefonat Sky, si: transkripte të bisedave dhe fotografi të drogave e armëve të dërguara përmes Sky. Këto dosje më pas u krahasuan me provat e marra nga të dhënat publike të dokumenteve gjyqësore në Holandë, Gjermani, Kanada, Belgjikë dhe Serbi dhe gazetarët intervistuan shumë persona kyç në universin Sky.

Në gusht 2024, pas një hetimi shumëvjeçar nga gjyqtarët investigues francezë, CEO i Sky Global, Jean-Francois Eap, dhe 30 persona të tjerë të lidhur me kompaninë – përfshirë punonjës me përvojë të Sky, shpërndarës dhe shitës lokalë – u akuzuan për bashkëpunim kriminal, pastrim parash, dhe shpërndarje të pajisjeve të enkriptuara pa regjistrim të plotë. Ndaj Eap gjithashtu janë ngritur akuza në SHBA, për bashkëpunim në lehtësimin e trafikut ndërkombëtar të drogës përmes telefonave Sky. Projekti “The Crime Messenger” gjithashtu jep një informacion mbi dënimet penale të tyre.

Në një bisedë të dekriptuar të Sky, e përmbledhur në një raport të policisë franceze, Jean-Francois Eap dhe një burrë i njohur si Sky111 — një distributor i lartë me bazë në Holandë — diskutojnë një problem me rishitësin kryesor të Sky111 në Ballkan, Saša Vasilijević.

Duket se Vasilijević kishte shkelur protokollet e kompanisë duke iu referuar hapur drogës në një bisedë në grup. Sky111 u udhëzua nga Eap që “t’i kujtonte Sasa-s protokollet e duhura” — dhe më pas ta regjistronte atë përsëri nën një emër tjetër përdoruesi. Përmbledhja e policisë e identifikon Vasilijević-in si “një rishitës i lidhur me mafian serbe.” (Vasilijević ka mohuar çdo lidhje me veprimtari kriminale dhe nuk ka ndonjë precedent penal.)

Avokati i Sky Global, Ashwin Ram, tha se kompania nuk kishte dijeni për bisedat në grupore në fjalë. “Kur kompania mësoi se një distributor, rishitës ose përdorues i fundit mund të kishte shkelur kushtet e saj të shërbimit, ajo ndërmori veprime të shpejta dhe të vendosura,” tha ai. “Në varësi të rrethanave, masa të tilla varionin nga qortimi, ritrajnimi, deri te ndërprerja e marrëveshjes kontraktuale. Agjentët që shkelën kushtet e shërbimit në një mënyrë që rezultoi në ndërprerje nuk u regjistruan kurrë më. Në mënyrë të ngjashme, kur u njoftuan për akuzat kundër Saša-s, Sky Global nuk e regjistroi përsëri atë.”

Përveç Vasilijević-it, gazetarët kanë identifikuar pesë tregtarë të tjerë serbë dhe kroatë të Sky me lidhje me krimin e organizuar, ose me një histori kriminale personale. Njëri prej tyre ishte Srđan Lalić, anëtar i grupit famëkeq Principi, që bëri bujë në vitin 2021 pasi thuhet se rrëmbyen dhe vranë burra të lidhur me një bandë rivale dhe masakruan trupat e tyre brenda një “thertoreje” në Beograd. Vitin pasardhës, Lalić bëri një marrëveshje me prokurorët serbë dhe ra dakord të dëshmonte për aktivitetet e tij kriminale. (Ai nuk iu përgjigj një kërkese për koment për këtë histori.)

I konsideruar i aftë teknologjikisht nga bashkatdhetarët e tij brenda bandës, Lalić gjithashtu ishte ngarkuar me përmirësimin e sigurisë së komunikimeve të tyre — dhe shfrytëzoi rastin për t’u bërë vetë distributor i Sky, për të cilën më vonë dëshmoi se iu lejua ta bënte me pak pyetje.

Në dëshminë e tij, Lalić përshkroi veçoritë e Sky që ishin më tërheqëse për kriminelët. Më e rëndësishmja?

“Ishte anonimiteti,” tha ai. “I vetmi informacion që përdoruesit kishin për njëri-tjetrin ishte ID-ja.”

Sky Phone Features
Credit: James O’Brien/OCCRP

Si pjesë e hetimit francez mbi Sky, Srđan Lalić u tregoi gjyqtarëve hetues se si ai ishte përfshirë në sistemin e Sky nga një njeri të cilin e njihte si “Bee,” i cili i ofroi mbështetje teknike — dhe e këshilloi të mos përmendte publikisht përdorimin kriminal të Sky. (Lalić nuk është një i dyshuar në çështjen franceze.)

“Sky ishte plotësisht e vetëdijshme se sistemi i tij po përdorej nga organizatat kriminale dhe [ai] dëshironte të shmangte ndjekjen penale,” tha ai. “Duke pasur këtë parasysh, ata na këshillonin të mos linim asnjë gjurmë dhe të mos thonim që Sky po përdorej për qëllime kriminale.”

Një ‘Goditje Masive’ — Me flamuj të kuq

Themeluesi i Sky Global, Jean-Francois Eap, lindi në Quebec nga prindër kamboxhianë që kishin kërkuar strehim nga regjimi ultra-komunist Khmer Rouge, i cili përndiqte popullsinë e tij me obsesion për të shtypur çdo kundërshtim ndërsa uriste dhe vriste miliona njerëz.

Eap e përmend këtë ngjarje për të shpjeguar motivimin e tij për krijimin e Sky ECC: “E dini,” u tha ai gazetarëve të The Crime Messenger në një intervistë, “unë mbaj mbi vete atë barrë që prindërit e mi përjetuan kur… jeta e tyre iu mor atyre. Liria e tyre, nuk kishte liri.”

Jean Francois Eap
Credit: StudioFact Media, Paris Sky Global’s CEO, Jean-Francois Eap.

Ai tha se kishte studiuar shkenca kompjuterike në Universitetin Simon Fraser në zonën e madhe të Vancouver-it, por e la shkollën në vitin e tretë për të hapur një kompani “faqesh interneti dhe hosting.” Më pas filloi të punonte si përfaqësues i shërbimit ndaj klientit për gjigantin kanadez të telekomunikacionit, Rogers Communications, në fillim të të njëzetave. Më në fund, ai arriti të blejë pronarët e dyqaneve të Rogers ku po punonte. “Kjo vërtet më vuri në rrugën e udhëtimit tim sipërmarrës,” tha ai. (Eap vazhdon të zotërojë 20 dyqane celulare në zonën e Vancouver-it përmes dy kompanive, Pepper Wireless dhe Inspire Wireless, të cilat janë distributorë për Rogers dhe një kompani tjetër të madhe të telekomit kanadez. Rogers nuk iu përgjigj një kërkese për koment.)

Në vitin 2010, ai themeloi një kompani të quajtur Secure Enterprises për të ofruar pako të dhënash celularë për roaming. Por pasi telefoni i tij u hakua, tha se u shqetësua për protokollet e dobëta të privatësisë në industrinë e telefonisë celulare dhe bashkëpunoi me një mik për të krijuar një produkt që do të “maksimizonte sigurinë” e telefonave Blackberry. Kur Blackberry filloi të kishte vështirësi për të konkurruar në tregun e telefonave inteligjentë (smarphone), Eap u kthye sërish, duke i kërkuar babait të tij, një shkencëtar kompjuteri, ta ndihmonte për të ndërtuar “një teknologji të re për të dhënat dhe sigurinë,” të cilën e quajti Sky Easy. “Ishte një sukses i madh,” tha ai.

Në vitin 2016, kompania në rritje u zhvendos në një zyrë të rregullt, dhe brenda dy viteve, ekipi ishte rritur në mbi 70 punonjës. Eap tha se ishte krenar për atmosferën “gjallëruese” që kishte krijuar në kompani. “Ne ndërtuam një teknologji që u kthente fuqinë përdoruesve,” tha ai.

Themeluesi i Sky kishte lidhje me një aplikacion tjetër të enkriptuar nga Vancouver

Dokumentet nga gjyqi për spiunazh i një drejtori të inteligjencës kanadeze përmendin Jean-Francois Eap si një “bashkëpunëtor” të themeluesit të Phantom Secure.

Përpara Sky Global, një nga ofruesit më famëkeq të telefonave të enkriptuar të përdorur nga kriminelët ishte Phantom Secure — i cili gjithashtu kishte origjinën në Vancouver, një qytet me një përzierje kulturash dhe kompanish teknologjike në bregun perëndimor të Kanadasë.

Vincent Ramos, djali i emigrantëve filipinas, punoi në industrinë e telekomunikacionit përpara se të krijonte Phantom Secure në vitin 2008. Kompania shpejt e drejtoi fokusin e saj drejt një tregu në rritje: kriminelët.

Thyerja e madhe e Ramos erdhi kur ai shiti telefonat Phantom Secure kartelit të Sinaloa të Meksikës. Pas marrëveshjes, siç raportoi CBC në emisionin The Fifth Estate, Ramos dërgoi një mesazh zyrës së tij në Vancouver: “Ne jemi të pasur tani… Karteli i Sinaloas. Kjo është situata.”

Por biznesi i tij së shpejti do të përballej me një fund të papritur, ndërsa forcat e zbatimit të ligjit në SHBA, Australi, Panama, Hong Kong, Tajlandë dhe Kanada po i afroheshin rrjetit të tij global të enkriptimit kriminal. Ai u arrestua në mars 2018 dhe u akuzua nga një juri e madhe në SHBA për sigurimin e pajisjeve të enkriptuara për trafikantët e drogës. Në vitin 2019, ai u dënua me nëntë vjet burg dhe iu urdhërua të dorëzonte 80 milionë dollarë.

“Duke marrë parasysh funksionalitetin e kufizuar të telefonave dhe faktin që ata funksionojnë vetëm brenda një rrjeti të mbyllur kriminelësh, besohet se të gjithë klientët e Phantom Secure janë të përfshirë në aktivitete të rënda kriminale,” tha FBI në atë kohë.

Gjatë shqyrtimit të komunikimeve të Phantom Secure, policia gjeti email-e nga një burim anonim që ofronte të ndante informacion me Ramos. Ai rezultoi të ishte Cameron Ortis, atëherë drejtori i inteligjencës për Policinë Mbretërore Kanadeze (RCMP), i cili u shpall fajtor për spiunazh në një gjyq tetë-javor që përfundoi vitin e kaluar.

Në një “deklaratë të fakteve të dakorduara” nga gjyqi, Jean-Francois Eap përmendet si një “bashkëpunëtor i njohur” i Ramos. Deklarata vuri në dukje se Eap dukej se po ofronte këshilla teknike për menaxherin teknik të Phantom Secure dhe se ishte listuar si person kontakti për linjat telefonike në zyrën e Phantom Secure.

“Jean-Francois EAP është një bashkëpunëtor i RAMOS; ata kanë udhëtuar së bashku, veçanërisht nga Hong Kongu në Vancouver,” thotë dokumenti. “Aktualisht nuk dihet se çfarë roli dhe në çfarë mase EAP luan në veprimet e Phantom Secure.”

Dokumenti gjithashtu zbuloi se autoritetet kanadeze kishin nisur një operacion të quajtur “Project Saturation” për të hetuar ofruesit kryesorë kanadezë të pajisjeve të enkriptuara për grupet kriminale ndërkombëtare. Ai tha se policia kishte identifikuar katër prej tyre, duke përfshirë Phantom Secure dhe një “rrjet të pavarur” të udhëhequr nga Eap.

I pyetur për komente mbi lidhjet e tij me Ramos, avokatët e Eap konfirmuan se ai e njihte themeluesin e Phantom Secure “pasi të dy punonin në sektorin e telekomunikacionit në Vancouver.”

“Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se një raport i RCMP i dorëzuar në gjyqin e Ortis tha saktësisht se zoti Eap dhe zoti Ramos nuk kishin asnjë marrëdhënie personale apo biznesi domethënëse dhe… hetuesit përfundimisht arritën në përfundimin se Sky Global ishte një entitet i pavarur që nuk kishte asnjë lidhje me Phantom Secure,” thanë ata.

Por agjencitë policore evropiane thonë se që në fillim kishte sinjale paralajmëruese në operacionin e Sky. Sky kishte një bazë përdoruesish të dyshimtë dhe të ngushtë — dhe, siç vunë re hetuesit francezë, kompania nuk kishte asnjë problem me këtë, duke shpenzuar shumë pak për marketing. Platforma e mesazheve të enkriptuara Telegram, e cila gjithashtu është kritikuar për ofrimin e veçorive që mundësojnë aktivitete kriminale, ka mbi 950 milionë përdorues. Në krahasim, Sky kishte vetëm 170,000 përdorues, dhe policia belge tha se vetëm rreth 70,000 prej tyre ishin aktivë.

Policia franceze ka thënë disa herë se nuk arriti të identifikonte asnjë përdorues që nuk ishte kriminel, megjithëse nuk kanë dhënë prova të gjera për këtë pretendim. Gazetarët që punuan në projektin The Crime Messenger gjithashtu nuk gjetën shumë shembuj të njerëzve që kishin përdorur shërbimin për arsye legjitime. (Sky Global dha emrat e tre përdoruesve të tillë, por vetëm njëri pranoi të intervistohej zyrtarisht. Ai u tha gazetarëve se ishte një kontraktor i sigurisë dhe mik personal i Eap, i cili e konsideronte themeluesin e Sky një “patriot” për shkak të mbrojtjes së tij për të drejtat e privatësisë.)

Sky ishte një rrjet i mbyllur — për të komunikuar me dikë që përdorte shërbimin, duhej të njihje tashmë PIN-in e tyre me gjashtë shifra. Ai gjithashtu ishte shumë i shtrenjtë në krahasim me format e tjera të komunikimit të enkriptuar: kushtonte më shumë se 1,000 euro për të blerë një pajisje Sky me një abonim gjashtë-mujor në shërbim. (Në krahasim, Signal, një aplikacion i enkriptuar i preferuar nga gazetarët dhe profesionistët që merren me çështje sensitive, është falas.)

Në këmbim të këtyre tarifave të larta, Sky u premtonte përdoruesve mundësinë për të komunikuar në fshehtësi të plotë. Ai e tregtonte veten si të padepërtueshëm, duke ofruar madje një shpërblim prej 5 milionë dollarësh për këdo që mund të gjente një dobësi në enkriptimin e tij. Një distributor serb tha se kishte veçori të tjera që ishin tërheqëse për grupet kriminale — veçanërisht “butonin e fshirjes”: një telefon Sky mund të fshihej në distancë nëse pronari i tij ishte në “vështirësi.”

“Në rast arrestimi, pajisja ‘digjet,’” tha ai në një gjykatë lokale në 2022, duke përdorur një term zhargon që grupi i tij kriminal përdorte për të referuar fshirjen e pajisjeve elektronike. “Kjo do të thotë, agjenti ose distributorët, me kërkesë nga një mik apo koleg i afërt, aktivizojnë një komandë të largët që shkatërron të gjithë përmbajtjen në telefon.”

Kjo është ajo që tërhoqi fillimisht vëmendjen e policisë belge, e cila po hetonte të shtëna dhe “shkelje të rënda të dhunshme” të lidhura me trafikimin e kokainës përmes portit të Antwerp-it. Ata vunë re se një numër i pazakontë i të dyshuarve papritmas dukej se po përdornin Blackberry, përmbajtjet e të cilëve fshiheshin misteriozisht pasi ata arrestoheshin.

“Përmbajtja u fshi pothuajse menjëherë dhe në distancë duke dhënë një fjalëkalim ‘rreziku’ dhe duke u kthyer në gjendjen e fabrikës,” shkroi një oficer i policisë gjyqësore të Antwerp-it në një raport të vitit 2018 për telefonat. “Me fjalë të tjera, asnjë përmbajtje e kontakteve, mesazheve apo historikut nuk mund të rikuperohej.”

Raporti i policisë belge vuri në dukje gjithashtu se Sky reklamonte se nuk ruante asnjë mesazh në serverë “të aksesueshëm nga autoritetet e zbatimit të ligjit.” Në përgjithësi, u konkludua, “shërbimet e ofruara nga Sky e bëjnë zbulimin dhe ndjekjen penale nga gjyqësori pothuajse të pamundura.”

Belgian Police Sky
Credit: Belga News Agency/Alamy Stock Photo
Një konferencë shtypi në lidhje me dekriptimin e telefonave të Sky Global në Zyrën e Prokurorisë Publike Federale të Belgjikës, në Bruksel më 9 mars 2022

Në përgjigje të pyetjeve mbi funksionin e fshirjes në distancë, avokatët e Eap dhe kompanisë së tij thanë se Sky Global “zbatonte një politikë që ndalonte fshirjen e një telefoni që dyshohej se ishte në posedim të policisë.” Kompania tha se shërbimi ndaj klientit dhe mbështetja teknike për telefonat Sky ishin në fund të fundit përgjegjësi e shpërndarësve dhe rishitësve, por që ata ishin “të pritur dhe të detyruar kontraktualisht të ndiqnin politikën e kompanisë.”

Megjithatë, në të paktën disa raste në dosjet e The Crime Messenger, është e qartë se ata nuk e kanë ndjekur këtë politikë. Policia franceze gjeti këtë mesazh në telefonin e një distributori të njohur të Sky: “Një klient shumë i rëndësishëm u arrestua mbrëmë. Ia fshimë telefonin. Gruaja e tij ka nevojë që Sky i tij të punojë përsëri. Kështu që ata po e kthejnë telefonin e tij.”

Duke Punuar me ‘Kasapin Buzëqeshur’

Megjithëse Sky Global kishte një faqe interneti, nuk mund të blije produktin e saj kryesor, Sky ECC, në internet deri në vitin 2020. Në vend të kësaj, kompania funksiononte përmes një rrjeti shumë-shtresor të shitësve të njohur si “rishitës,” të cilët menaxhoheshin nga kompani shpërndarëse me emra të zakonshëm si Global Wireless Solutions, Global Wireless Consulting Services, dhe LevUp Tech. Këta shpërndarës u zgjodhën sepse ishin “të njohur” për Eap përmes përvojës së tij në industrinë e telekomunikacionit, thanë avokatët e tij.

Njëri nga këta rishitës, i njohur me pseudonimin “Kasapi i Buzëqeshur,” ishte një nga figurat kryesore të rrjetit kriminal në Ballkan. Ai përdorte këtë pseudonim për të ruajtur një fasadë të qetë dhe miqësore, ndërkohë që ishte i përfshirë në disa nga veprimtaritë më të rrezikshme të krimit të organizuar. Ky pseudonim i dha atij famë në qarqet kriminale dhe një reputacion për menaxhimin e komunikimeve të enkriptuara për klientë që përfshinin disa nga grupet më të fuqishme kriminale në Evropë.

Disa Nga Shpërndarësit Dhe Rishitësit Kryesorë Të Sky Global.
Credit: James O’Brien/OCCRP – Sky Network Pyramid
Disa nga shpërndarësit dhe rishitësit kryesorë të Sky Global

Këta shpërndarës, nga ana e tyre, krijuan rrjetet e tyre të “rishitësve” — disa prej të cilëve ishin kriminelë të dënuar. Për shembull, njeriu i njohur si “Bee,” i cili futi Srđan Lalić në botën e telefonave Sky, ishte një trafikant i dënuar droge me emrin Domingo Sean Abug. Hetuesit francezë besojnë se Abug ishte drejtori de facto i Global Wireless Solutions, një nga shpërndarësit më të mëdhenj të Sky. Ai u shpall gjithashtu fajtor në Kanada në vitin 2006 për tre akuza të trafikimit të drogës. (Abug ishte ndër të akuzuarit në Francë këtë gusht për rolin e tij në shpërndarjen e Sky, dhe një urdhër arresti është lëshuar për të në atë çështje. Ai nuk iu përgjigj kërkesave për komente.)

Abug nuk ishte i vetëm. Rezulton se çdo njëri prej drejtorëve themelues të kompanisë së shpërndarjes kishte një rekord kriminal në Kanada, sipas raportimeve nga CBC/Radio-Canada, një partner në hetimin The Crime Messenger.

  • Long Minh Vo pranoi fajësinë për trafikim të kokainës në 2003 dhe u dënua me dy vjet burg.
  • Terry Nguyen u dënua me pesë vjet burg për një sulm të dhunshëm në një banesë në vitin 2005, të kryer ndërsa ishte i liruar me kusht për një akuzë për trafikim heroine.
  • Një drejtor tjetër themelues kishte një rekord kriminal që daton nga viti 1999, sipas regjistrit gjyqësor kanadez.

Global Wireless Solutions, e themeluar nga këta burra në 2015, rezultoi të ishte një nga kanalet më efektive të Sky për të futur telefonat në duart e përdoruesve. Deri në kohën kur Sky u mbyll, ajo punonte me rreth 350 rishitës dhe agjentë në mbarë botën, duke përfshirë Lalić — i cili ishte i njohur në tabloidet serbe si “Kasapi i Buzëqeshur” — dhe një trafikant droge francezo-serb të dënuar me emrin Filip Bukvički.

Drejtuesit e lartë në Global Wireless Solutions duket se ishin plotësisht të vetëdijshëm se po punonin me kriminelë. Në një bisedë të vitit 2020 mes “Bee” dhe tre drejtorëve themelues, njëri prej tyre krenohej se kishin dominuar tregun e bandave të rrugës: “I kemi të gjithë tipat e rrugëve të getos bllokuar, lol.”

Në një rast tjetër, njëri dërgoi një pamje ekrani tjetrit të një bisede mes një klienti potencial dhe mbështetjes teknike të Sky.

Sky Tech Support

Kishte gjithashtu të paktën disa shqetësime që e kaluara e tyre kriminale mund të ndikonte në kompani: Dokumentet e korporatës tregojnë se drejtori i tretë u largua nga pozita brenda disa ditëve nga inkorporimi i Global Wireless Solutions. “Ai preferoi që emri i tij të mos shfaqej” për shkak të “së kaluarës së tij,” shkruanin hetuesit francezë në një dokument që përshkruante një bisedë të dekriptuar në grupin Sky mes njerëzve që punonin në Global Wireless Solutions.

Dhe jo gjithë dhuna kishte mbetur në të kaluarën. Rreth shtatë muaj pas inkorporimit të Global Wireless Solutions në vitin 2015, Nguyen u arrestua përsëri pasi dy burra u sulën në një restorant të nivelit të lartë në Toronto, ku po darkonte ai me partneren e tij, dhe qëlluan katër herë drejt tyre. Kur policia mbërriti në vendngjarje, ata zbuluan se Nguyen kishte një pistoletë gjysmë-automatike të paligjshme në një çantë, duke shkelur një urdhër që i ndalonte atij mbajtjen e armëve. Ai nuk iu përgjigj kërkesave për koment.

Një Pamje E Faqes Së Internetit Të Sky Përpara Se Të Hiqej Nga Forcat E Rendit Në 2021.
Credit: OCCRP
Një pamje e faqes së internetit të Sky përpara se të hiqej nga forcat e rendit në 2021.

Nguyen u dënua me dy vjet burg për incidentin me armë, me një gjykatës që theksoi se ai vazhdonte të kishte lidhje me kriminelë dhe nuk kishte asnjë punë apo biznes të ligjshëm.

“Ai ka një rekord kriminal për trafik droge, një sulm të guximshëm në një banesë dhe vepra që lidhen me armët,” shkroi gjykatësi. “Pavarësisht moshës së tij të re, ai është dënuar dy herë me dënime të gjata burgimi. Pavarësisht ashpërsisë së këtyre dënimeve, duket se nuk ka bërë asgjë për t’u shkëputur nga bandat kriminale dhe rivalitetet e tyre të dhunshme.”

Disa ditë pas këtij arrestimi, emri i tij u hoq nga bordi i drejtorëve të Global Wireless Solutions. Megjithatë, ai duket se nuk e ka ndalur vërtet punën atje. Kur u arrestua përsëri në vitin 2020, bisedat e analizuara nga hetuesit francezë kapën shqetësimin e partnerëve të tij të biznesit dhe një avokat që i ofronte shërbime kompanisë për perspektivën që arrestimi të tërhiqte vëmendjen e autoriteteve ndaj firmës.

“Problemi është se si duket T në raport me kompaninë,” tha avokati në një moment. “Mendoj se ai është në zyrë më shumë se çdokush tjetër këtu, kështu që supozimi [nga policia] është se ai ose e zotëron kompaninë ose ka një rol të madh në të.”

Dy nga drejtorët themelues gjithashtu duket se diskutuan fshirjen e telefonit të Nguyen, sipas mesazheve të kapura nga hetuesit francezë.

Messages Intercepted By French Police Investigators

Ata diskutuan mënyra për t’u shkëputur prej tij, duke përfshirë hartimin e shpejtë të një letre ndërprerjeje dhe shkarkimin e tij. Por, nëse do ta bënin këtë, tha avokati, do të ishte e vështirë të shpjegohej pse ai po merrte çeqe dividentësh.

Messages Intercepted By French Police Investigators 2

Ata gjithashtu hodhën idenë e riorganizimit të kompanisë si një trust të fshehtë ose të “daljes jashtë vendit”. Avokati tha se arrestimi i Nguyen ishte një “sinjal i mirë për t’u zgjuar” dhe grupi duhej ta shfrytëzonte rastin për të ristrukturuar, duke krijuar ndoshta një kompani të re që do ta quanin Global Sky Works.

Global Wireless Solutions dhe drejtuesit e saj nuk iu përgjigjën kërkesave për koment, përfshirë një kërkesë të dërguar përmes avokatit që mori pjesë në këto biseda. Ai refuzoi të komentonte, por tha se do t’i përcillte pyetjet një personi kontakti në kompani. Avokatët e Sky nuk pranuan të komentojnë në mënyrë specifike për Nguyen dhe Global Wireless Solutions.

Shpërndarje e dyshimtë

Përveçse nën shqyrtim nga policia, disa institucione financiare sinjalizuan një numër transaksionesh të kryera nga shpërndarësit e Sky në autoritetin kanadez kundër pastrimit të parave, FINTRAC.

Midis dosjeve të rrjedhura ligjore nga Franca është një raport 250-faqesh i FINTRAC që përshkruan aktivitetin e tre shpërndarësve, përfshirë Solid Communicationsdhe Global Wireless Solutions.

Shkëmbimi kanadez i kriptovalutave Coinsquare Limited dërgoi një Raport të Transaksionit të Dyshimtë (STR) për FINTRAC në lidhje me 37 depozita bitcoin, me një vlerë totale prej 5 milionë dollarësh kanadezë, të kryera nga Solid Communications nga korriku deri në nëntor të vitit 2018.

“Solid Communications kishte ekspozim të drejtpërdrejtë ndaj tregjeve të errëta,” tha raporti, duke iu referuar faqeve të internetit që merren me kontrabandë, si droga dhe armët.

“Bazuar në shqetësimet e identifikuara, Coinsquare krijoi baza të arsyeshme për të dyshuar se fondet e marra nga ky klient ishin përfituar përmes aktiviteteve të paligjshme ose burimeve të paligjshme,” shkroi FINTRAC.

Në vitin 2019, Royal Bank of Canada (RBC) paraqiti një Raport të Transaksionit të Dyshimtë (STR), duke paralajmëruar FINTRAC për depozita në para të gatshme që arrinin gjithsej 549,360 dollarë kanadezë në një llogari të mbajtur nga Global Wireless Solutions. Depozitat me para të gatshme u bënë në degë të ndryshme të RBC-së, dhe 71 për qind e tyre tejkalonin kufirin prej 10,000 dollarësh për depozita brenda 24 orëve, ose ishin vetëm jashtë këtij afati ligjor.

“Veprimtaria me para të gatshme nuk është në përputhje me deklaratat e pronarit Long VO, i cili tha se biznesi kryesisht zhvillohej nëpërmjet marrëdhënieve biznes me biznes, me tregun më të madh në Evropë, gjë që nuk përputhej me depozitat e bëra në Kanada,” raportoi RBC për FINTRAC.

Solid Communications

Distributori kryesor i Sky për sa i përket pjesës së shitjeve ishte Solid Communications, me bazë në Vancouver, bashkëpronësuar nga Tuan Minh Hoang “Tommy” Phan dhe Aaron Isack, e cila solli 149 milionë dollarë në të ardhura për Sky përmes një rrjeti prej gati 300 rishitësish në mbarë botën, sipas aktakuzës franceze.

Një nga këta rishitës thuhet se ishte një anëtar kyç i një grupi kroat të kontrabandës së drogës me lidhje me baronin famëkeq serb të drogës Darko Šarić.

Dosjet hetimore tregojnë gjithashtu se Solid Communications ofronte mbështetje teknike për baronin boshnjak të drogës Edin Gacanin, i njohur më mirë si “Tito,” i cili u arrestua në Dubai në nëntor 2022 së bashku me krerë të tjerë të drogës, të akuzuar për drejtimin e një “super karteli” që dyshohet se kontrollonte rreth një të tretën e tregtisë së kokainës në Evropë. (Ai u dënua në mungesë nga një gjykatë holandeze me shtatë vjet burg për trafik droge. Nuk iu përgjigj një kërkese për koment.)

Në një moment në fillim të vitit 2021, pak para se policia evropiane të ndërmerrte veprime kundër Sky, Tito pati një bisedë në Sky me Phan, sipas hetuesve francezë. Biseda e tyre u përqendrua te vetë Sky ECC — veçanërisht në “pyetje teknike për kontaktet dhe fshirjen e tyre.”

Një tjetër përdorues i telefonave Sky, trafikanti i dënuar kanadez i armëve Aydan Sin, ishte partner biznesi me Phan. Në qershor 2017, Phan dhe Sin themeluan së bashku një kompani. Dy javë më vonë, Sin u arrestua nga autoritetet kanadeze pasi një hetim i SHBA-së zbuloi se ai po komplotonte për të eksportuar ilegalisht armë në Dubai dhe Kolumbi.

Trafikanti Kanadez I Armëve I Dënuar Aydan Sin.
Credit: Royal Canadian Mounted Police
Trafikanti kanadez i armëve i dënuar Aydan Sin.

Sipas aktakuzës së SHBA-së kundër Aydan Sin, ai dhe dy bashkëpunëtorë të tij u përpoqën të blinin ilegalisht armë nga një agjent i fshehtë që paraqitej si tregtar armësh. Ata i ofruan agjentit një Blackberry të pajisur me Sky dhe e ndihmuan atë të konfigurojë cilësimet e telefonit. Atij iu tha se telefoni ishte një mënyrë më e sigurt për të komunikuar dhe mund të fshihej në distancë në rast emergjence.

Kur agjenti vendosi telefonin e tij të ri, ai mori një mesazh nga Sin: “Përshëndetje mik. Më në fund, mund të flasim lirisht me njëri-tjetrin.”

Dy muaj më vonë, grupi i Sin-it u bë i dyshimtë dhe ndaloi të punonte me agjentin. Menjëherë pas kësaj, telefoni i tij u fshi në distancë.

Sin pranoi fajësinë për trafikim armësh në vitin 2019 dhe u dënua me 46 muaj burg. Ai nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

Phan dhe Isack u akuzuan të dy në Francë këtë gusht për rolin e tyre në shitjen e telefonave Sky dhe janë lëshuar urdhra arresti për ta. Ata nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

LevUp Tech

Një tjetër shpërndarës kryesor i Sky Global ishte një firmë me bazë në Vancouver, e quajtur LevUp Tech. Një nga punonjësit e saj, Thomas Herdman, u akuzua nga SHBA përkrah Jean-Francois Eap në vitin 2021 pasi u kap nga një oficer i fshehtë duke ofruar ndihmë për “riatdhesimin e parave që dyshohej se vinin nga droga” në vend, sipas një raporti të Departamentit të Drejtësisë së SHBA dërguar autoriteteve franceze. Herdman thuhet se i shiti oficerit të fshehtë, i cili po pozonte si anëtar i një organizate të trafikut të drogës, tre telefona Sky. Ai u arrestua në Spanjë në qershor 2021 dhe u transferua në paraburgim në Francë, ku ndodhet ende.

Herdman, i lindur në Vancouver, 63 vjeç, filloi të punonte për LevUp në vitin 2017 si specialist i zhvillimit të biznesit, tha ai për hetuesit francezë. Një bisedë në Telegram midis Herdman dhe pronarit të LevUp, Grant Persall, u kap nga policia franceze dhe ofron shumë të dhëna se si operonin shpërndarësit e Sky Global.

Fillimisht, Persall dukej se po përpiqej ta përfshinte Herdman në ekip. Duke i shpjeguar bazën e mundshme të klientëve për Sky, Persall përmendi disa mundësi: prostituta, spiunë, përdhunues, drejtues korporatash, njerëz në biznesin e marihuanës, fajdexhinj në Makao dhe “zyrtarë qeveritarë që merren me gjëra të dyshimta” në Filipine.

Herdman shprehu shqetësime për modelin e Sky, që funksiononte me shpërndarës të pavarur që e tregtonin telefonin ndaras, duke thënë se kjo do të krijonte konfuzion.

“Duhet të kujtosh se janë tre shpërndarës kryesorë dhe të gjithë jemi mjaft afër me pronarin,” iu përgjigj Persall, duke shtuar se “Jean” kishte “tre burra që punonin për të, të cilët i ndërtuan një perandori.”

Deri në gusht 2017, Herdman po punonte me LevUp, dhe biseda u kthye te çështjet e klientëve. Disa pjesë të bisedës sugjerojnë se të dy burrat e dinin që telefonat po përdoreshin nga kriminelët.

Në një diskutim për marrjen e klientëve nga një rishitës tjetër, Herdman u ankua për një shpërndarës konkurrent, për të cilin ai tha se kishte lidhje me “HA,” një referencë e dukshme për grupin kriminal të organizuar Hells Angels.

Hells Angels Organized Crime Group

Më vonë atë vit, Herdman po përpiqej të kthente kriptomonedhën në “para të pakapshme nga autoritetet.”

Hells Angels Organized Crime Group 2

Persall pyeti nëse klientët e mundshëm të Herdman duhet të silleshin për të vizituar zyrën e Sky në Vancouver, por Herdman tha se nuk ishte i sigurt për këtë, sepse ata ishin nga “mafia afrikane.”

Hells Angels Organized Crime Group 3

Të nesërmen, Herdman iu referua një grupi tjetër klientësh të dyshimtë, duke shprehur shqetësimin se “bandat” serbe mund të ishin të ndjeshme ndaj gjurmimit nga autoritetet për shkak të një lloji numri identifikimi të njohur si IMEI. Nuk dihet se për cilët klientë po flet Herdman në këtë bisedë, por dosjet hetimore franceze tregojnë se rishitësit e tij përfshinin një çift të martuar serb që supozohet se ndanin një ID të Sky ndërsa burri ishte në arrati nga një dënim me burg për grabitje të armatosur.

Sky Screen Png