
ZBARDHET NGJARJA/ Si u lirua nga burgu Martin Mane , djali i Samir Manes. Prokuroria “lan duart” dhe fajëson policinë
Prokuroria e Tiranës ka sqaruar rrethanat lidhur me lirimin e Martin Manes djali i biznesmenit Samir Mane, i cili ishte arrestuar në flagrancë nga Policia për veprat penale “mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë” dhe “largim nga vendi i aksidentit”.
Sipas njoftimit zyrtar, më 13 janar 2025, prokurori i gatshëm urdhëroi lirimin e menjëhershëm të Martin Manes, duke vlerësuar se nuk ishin përmbushur kushtet për arrestim në flagrancë. Ky vendim ka ngritur interes publik, pasi, sipas raportimeve mediatike, arrestimi i Martin Manes ishte kryer nga punonjësi i Policisë, Azbi Spahiu., i cili vetëm një ditë më parë ishte plagosur rëndë pas një akti të vetëhedhjes nga një godinë në kryeqytet.

Prokuroria bëri me dije se ka regjistruar procedimin penal nr. 167, datë 13.01.2025, për kundërvajtjet penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”, të parashikuara nga nenet 242 dhe 273 të Kodit Penal, në ngarkim të shtetasit Martin Mane.
Referuar materialeve të Policisë, ngjarja ka ndodhur më 12 janar 2025, rreth orës 04:13, kur salla operative njoftoi se një automjet përballë Parlamentit kishte përplasur dy motomjete të parkuara dhe ishte larguar. Shërbet policorë gjetën automjetin e dyshuar rreth orës 04:35 tek kryqëzimi Luigj Gurakuqi, duke konstatuar edhe dëmtime të lehta në të. Drejtuesi i automjetit, shtetasi M.M., refuzoi testin e alkoolit dhe pretendoi se kishte alergji. Po ashtu, ai refuzoi të japë kampion gjaku.
Policia gjyqësore arrestoi shtetasin M.M. në orën 09:25 të së njëjtës ditë, por Prokuroria vlerësoi se nuk ishin respektuar procedurat ligjore të parashikuara nga neni 201/a, pika 5 e Kodit të Procedurës Penale. Gjithashtu, ndaj tij u morën masa administrative sipas Kodit Rrugor.
Pas shqyrtimit të rastit, Prokuroria konstatoi se nuk ishin respektuar kriteret për arrestimin në flagrancë të parashikuara nga neni 251 i Kodit të Procedurës Penale. Për këtë arsye, u urdhërua lirimi i shtetasit M.M. dhe vazhdimi i hetimeve ndaj tij në gjendje të lirë. /gazetajone