Tiranë – Policia ka zbardhur brenda 48 orësh ngjarjen e rëndë të ndodhur më 13 janar 2025, ku 81-vjeçari Xhemal Meta u gjet i pajetë në oborrin e banesës së tij në Zall-Bastar. Operacioni policor, i koduar “Dyshimi”, rezultoi në identifikimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar, shtetasi Isuf Hasa, 64 vjeç, fqinj i viktimës.

Sipas Drejtorit të Policisë së Tiranës, Elton Alushi, ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:00 të mëngjesit, kur Hasa ka shkuar në banesën e Metës dhe për motive të dobëta e ka qëlluar me një çekiç në pjesën e pasme të kokës, duke i shkaktuar vdekjen. Pas krimit, autori dyshohet se i ka marrë viktimës një sasi parash dhe është larguar nga vendngjarja.

Gjatë kontrollit të ushtruar në disa banesa të Hasës dhe të familjarëve të tij, policia gjeti dhe sekuestroi një shumë prej 200,000 lekësh, si dhe çekiçin e përdorur për kryerjen e krimit, i cili u zbulua në banesën e vajzës së autorit, në fshatin Gjokaj të Vorës.

Policia dhe Prokuroria e Tiranës, nëpërmjet metodave speciale të hetimit dhe veprimeve intensive, arritën të dokumentojnë ligjërisht ngjarjen dhe të ndalojnë autorin për veprën penale “Vrasje me paramendim”.

Strukturat e Policisë së Tiranës vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje, ndërsa drejtori Alushi apeloi për bashkëpunimin e qytetarëve me Policinë për adresimin e çdo informacioni të vlefshëm që ndihmon në parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale./gazetajone