Detaje të reja mësohen nga një atentat i parandaluar nga forcat e policisë dy ditë më parë në Vlorë.
Sipas informacioneve, 35-vjeçari i arrestuar Amarildo Nikolli është vrasës me pagesë dhe ishte përgatitur për të kryer një ekzekutim.
Flitet se objektiv i tij ishte Inez Hajrulla, një emër i njohur i botës së krimit në vend, dhe që i ka mbijetuar dy atentateve më herët.
Vrasësi i dyshuar u kap në flagrancë nga policia me një pistoletë me silenciator, dy palë rroba dhe kapuç. Ai gjithashtu dyshohet se ishte i shoqëruar nga dy persona të tjerë që shërbenin si vëzhgues dhe informator.
Inez Hajrulla i ka mbijetuar një atentati në vitin 2019, kur u qëllua nga një makinë në ecje në zonën e Ujit të Ftohtë. Dyshohet se autorët kërkonin ta ekzekutonin Hajrullën si hakmarrje për një ngjarje tjetër kriminale që kishte ndodhur pak kohë më parë në atë periudhë, me dy të vdekur dhe një të plagosur.