Plani për t’i marrë një biznesmeni 70 mijë euro duke u hequr si zyrtar, ka rezultuar një dështim për një grup kriminal nga Tirana. 4 persona kanë rënë në pranga, e ndërsa 2 janë shpallur në kërkim, me tyre edhe ai që mendohet të jetë edhe “koka” e grupit.
Në kuadër të operacionit ‘Fraund’ u arrestuan Xhonatan Xhaferri, 24 vjeç, Leonard Xhika, 39 vjeç, Mikel Panxhi, 30 vjeç, të tre banues në Elbasan, dhe Petro Ferzaj, 51 vjeç, banues në Vlorë. Në kërkim janë shpallur Xhensil Qefa, 27 vjeç dhe Florian Gjergji 40-vjeç, i përfshirë edhe më parë në këtë skemë mashtrimi
Nuk dihet se cili ka qenë biznesmeni, e ndërsa duhet thënë se kjo skemë mashtrimi është e njohur për Policinë, pasi më herët në operacione të ndryshme ka arrestuar të tjerë persona që ndiqnin të njëjtën rrugë për të kërcënuar një biznesmen.
“Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Nr. 6, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë, në bashkëpunim me DVP Elbasan, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Tentuan të përfitonin një shumë të madhe parash, nëpërmjet mashtrimit, nga një shtetas (biznesmen), duke u prezantuar si përfaqësues të një zyrtari shtetëror, vihen në pranga 4 shtetas.
Shpallen në kërkim 2 shtetas të tjerë, njëri prej tyre i dyshuar organizator i kësaj skeme mashtrimi.
Sekuestrohen 2 automjete dhe 6 celularë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë dhe DVP Elbasan, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e krimeve ekonomike, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Fraud”, për identifikimin, kapjen dhe vënien në pranga të disa shtetasve, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin tentuar të mashtronin një biznesmen, për të përfituar shumën 70 000 euro.