Një kontratë e firmosur nga Endri Merkaj, një nga vëllezërit e vënë nën hetim nën dyshimin se pastronin paratë e Franc Çopjas, ka bërë lidhjen e të riut nga Elbasani, me Eldi Dizdarin alias Denis Matoshi.
Bëhet fjalë për një kontratë të firmosur mes Endri Merkaj dhe biznesmenit të dënuar për vjedhje në Belgjikë, Elman Abule, i cili është vënë nën hetim pasuror nga prokuroria e Tiranës së bashku me Kristian Boçin.
Edhe këta dy të fundit, janë të lidhur ngushtë me Dizdarin. Gazetari Elton Qyno shkruan për OraNews se mes Abules dhe Merkajt, në 21 dhjetor 2021 është lidhur një kontratë porosie për blerjen e një objekti të quajtur “Vila Single A2” me sipërfaqe ndërtimi 334 m2 ndërsa sipërfaqja totale e parcelës është 550 m2. Super vila ndodhet në kompleksin luksoz “Mandarine Drive”, rezidencë kjo që është ndërtuar nga kompania e ndërtimit “Merkaj 3”. Vila është blerë nga Elman Abule, përkundrejt shumës prej 480 mijë eurove.
Hetimi ka zbuluar se 1 ditë pas firmosjes së kontratës, në 22 dhjetor 2021, Elman Abule, ka paguar cash në llogarinë e kompanisë “Merkaj 3” shumë prej 100 mijë eurosh. Për këtë sasi euro, prokuroria nuk ka qenë në gjendje të sigurojë dokumente për burimin e të ardhurave.
Pagesat kanë vijuar në 21 shkurt 2022 dhe Elman Abule përmes kompanisë së tij “Rametal”, ka derdhur në llogarinë e tre vëllezërve Merkaj, shumën prej 200 mijë eurosh.
Pagesat kanë vazhduar në 10 Gusht me 30 mijë euro, në 11 Gusht me 40 mijë euro dhe në 16 Gusht me 30 mijë euro. Të tre këto pagesa janë kryer përmes llogarisë së kompanisë “Rametal”. Ndërsa në 20 shtator 2022, Elman Abule, ka paguar 80 mijë euro, duke përmbushur kështu shumën prej 480 mijë eurosh për blerjen e “Vila Single A2” në kompleksin luksoz “Mandarine Drive”./oranews