
Nga Ardian Vehbiu
Shumë e kanë parë e dëgjuar përplasjen live mes presidentit amerikan Trump, zëvendësit të tij JD Vance dhe presidentit ukrainas Zelensky sot në Shtëpinë e Bardhë; dhe jam i sigurt që gjithkush ka opinionin e vet për çfarë ndodhi dhe për përgjegjësitë përkatëse.
Ky takim ishte vetëm segmenti i radhës i një përpjekjeje që po vazhdon prej javësh, nga ana e administratës Trump, për të kërkuar një zgjidhje “kompromisi” të luftës në Ukrainë, nëpërmjet shkëmbimesh dhe koncesionesh gjithfarësh. Mua m’u duk se palët në takim nuk ishin në sinkroni, as lidhur me çfarë kërkonin të arrinin, as lidhur me fytyrën që donin t’i tregonin publikut. Trumpi dhe JD Vance nuk i dhanë ndonjë rëndësi aspektit mirëfilli moral, heroik të përpjekjes ukrainase, as treguan ndonjë interes për retorikën e sulmeve ndaj Putinit si pushtues, gjakësor dhe tiran. Trumpi madje e shpjegoi këtë, me arsyen se, nëse do të ndërmjetësojë për armëpushimin dhe paqen, ai është njëfarësoj i detyruar të mbajë qëndrim të baraslarguar nga të dy anët, çfarë parakupton heqjen dorë nga retorika e deridjeshme e administratës Biden.
Zelensky, nga ana e vet, nguli këmbë me argumentin moral se lufta e Ukrainës është e drejtë, patriotike dhe meriton mbështetje totale – argument që deri dje i kish siguruar përkrahjen edhe të administratës amerikane dhe që ndoshta për të është i vetmi argument që mund të sjellë bindshëm në tryezë të negociatave. Por si argument ky nuk ka shumë vlerë me Trump-in, i cili u qaset problemeve në mënyrë transaksionale, si businessman; ose duke krijuar kontekste që nuk e marrin moralin parasysh; por që e shumta, nisen nga parimi elementar se paqja është për t’u preferuar ndaj luftës, sepse paqja është kushti i nevojshëm për të bërë business.
Nuk është hera e parë që Zelensky i ka qortuar aleatët dhe miqtë e vet për pavendosmëri dhe hipokrizi, i sigurt se pozicioni prej heroi moral do t’i jepte imunitet ndaj zemërimit të atyre që ka përballë. Por kjo nuk funksionoi me Trump-in, i cili nuk dëgjon nga ai vesh, të cilit i foli Zelensky.
Veç kësaj, presidenti i Ukrainës është mësuar që tashmë të pritet si hero në kancelaritë perëndimore; në takime ku fjala e tij nuk ngre aq peshë sa ç’ngre prania e tij dhe energjia morale që përfaqëson – si viktima e së keqes absolute që është Rusia dhe, le të mos e harrojmë, ndjesia që ai u ngjall elitave perëndimore se janë “në anën e duhur të historisë”.
Në bisedën me Trump-in dhe JD Vance-in, ai përdori po ato trope emocionale që i kish përdorur më parë (dhe jo pa sukses); edhe pse këshilltarët e tij duhet ta kishin përgatitur, që këto qasje nuk do t’i vlenin, përveçse para të tretëve, ose publikut europian të takimit në Shtëpinë e Bardhë.
Ndoshta Zelensky do të kish bërë mirë që të kish marrë me vete një përkthyes në këtë takim; jo sepse nuk e përballon dot anglishten e Trump-it, por sepse përkthyesi do t’i jepte kohën e nevojshme për t’u distancuar nga emocioni i momentit dhe për ta modifikuar taktikën e bisedës, në përgjigje të çfarë po ndodhte me ndërfolësit.
E kuptoj që takimi pa përkthyes dhe informaliteti i një bisede kokë më kokë, të pandërmjetësuar, krijon një lloj familjariteti miqësor që mund të çojë më shpejt në mirëkuptim; por – duke e njohur Trump-in – ndoshta synimi për familjaritet dhe të folur me dorë në zemër nuk ishte zgjidhja e duhur.
Më mirë mbase do të kish qenë që Zelensky të ish mbrojtur pas gardhit dhe filtrit të gjuhës “tjetër” dhe ta kish shfrytëzuar distancën si buffer, ndaj agresivitetit të atyre që kish përballë. Të folurit anglisht, që është gjuha e Shtëpisë së Bardhë, do të kish më shumë kuptim, sikur argumenti moral të kish ende peshë; dhe Trump-i të binte në ujdi me Zelensky-n jo se ashtu i interesonte, por sepse ashtu e kërkonte zotimi moral i një presidenti të SHBA-ve.
Përkundrazi, i zhveshur nga roli i një mysafiri, një të huaji, që del përpara publikut amerikan për t’u përshëndetur si luftëtar dhe hero i vlerave të Perëndimit, Zelensky u reduktua në akcentin jo perfekt të anglishtes së vet, i cili e pikturoi si një outsider, gati-gati si një imigrant, dhe gjithsesi jo-adekuat për tryezat e të mëdhenjve. I njëjti akcent, që deri dje e kish ndihmuar për t’ia hapur dyert e kancelarive anembanë, tani befas u kthye kundër tij. /gazetajone