Dy persona me precedentë të mëparshëm penal janë zhdukur në rrethana të paqarta nga Saranda.
Burime bëjnë me dije se bëhet fjalë për shtetasit Leonard Thodhori, 46 vjeç, banues në fshatin Çuk, dhe Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi, 46 vjeç, banues në Sarandë.
Policia e Sarandës ka nisur hetimet dhe kërkimet për gjetjen e tyre, ku mësohet se prej orësh po kryen kqyrje kamerash sigurie, dhe kontrolle të ndryshme. Ende nuk ka një pistë hetimi lidhur me zhdukjen e dy personave, të skeduar edhe më parë nga policia.
Leonard Thodhori njihet ndryshe si “Koçole” dhe është dënuar disa herë. Ai ka qenë i dyshuar si pjesëmarrës në Masakrën e Qafë-Gjashtës në vitin 1997 ku u vra oficeri i policisë Gjergj Mehmeti. Në vitin 2003, “Koçole” ka qenë prezent në automjetin që drejtohej nga Andrea Gjini para se ky i fundit të vriste biznesmenin Jaho Bajo. I arrestuar po atë vit për “moskallëzim krimi” lidhur me një ngjarje tjetër të kryer nga Gjini. I arrestuar me pas për “vjedhje” e “mashtrim”. Përdorues i lendeve narkotike dhe i dyshuar si i përfshirë në trafik lëndësh narkotike.
Ndërsa, Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi ka qenë dënuar më parë për “armëmbajtje pa leje” dhe “plagosja e lehtë me dashje”. Ai është arrestuar në prill të vitit 2022 në Lushnje, pasi në mjetin e tij “BMW” X5 u gjet një sasi Kanabis sativa e ndarë në doza gati për shitje.