Pak ditë para zgjedhjeve lokale të 14 Majit 2023, Këshilli Bashkiak i Tiranës pranoi propozimin e kryebashkiakut Erion Veliaj për të shndërruar një parkim publik pranë qendrës së Tiranës në kullë shumë-katëshe.

Përfituesi i kësaj kulle është Shkëlqim Fusha, pronari i “Fusha” shpk., e njëjta kompani, për të cilën kryeministri Edi Rama dhe vartësi i tij, Erion Veliaj, bënë kurban kullën simbol të artit dhe kulturës shqiptare, Teatrin Kombëtar.

Kësaj radhe, “kurban” i Bashkisë së Tiranës është parkingu publik që gjendet tek ish-godina e Partisë Demokratike, përballë me qendrën tregtare “Toptani” dhe saktësisht pas truallit ku deri në 17 Maj 2020 gjendej Teatri Kombëtar.

Në foto: Në rreth të kuq, parkimi që do të zhduket. Në rreth blu, trualli i mbetur pas shkatërrimit të Teatrit Kombëtar

Në vend të atij parkimi, Bashkia e Tiranës ka vendosur të lejojë Fushën që të ndërtojë një godinë shumë-katëshe, nga ku administrata lokale thuhet se do të marrë 50 përqind të godinës.

“Boldnews.al” ka parë një set dokumentesh, në të cilat konstatohet se Veliaj ka vendosur të zhduk parkimin publik për ta zëvendësuar me kullë.

“Zhduket” parkimi

Në 3 Maj 2023, pra vetëm 10 ditë para se qytetarëve t’u drejtoheshin kutive të votimi, Këshilli Bashkiak i Tiranës, nën drejtimin e Romina Kuko, miratoi vendimin “Për zhvillimin e pronës nr. 1/66, zona kadastrale 8150, me sipërfaqe 1266.6 m2 dhe ndërtesë 183 m2, në pronësi të Bashkisë Tiranë dhe miratimin e draft kontratës së sipërmarrjes midis bashkisë tiranë dhe subjektit “fusha” sh.p.k”.

Në foto: Vendimi i Këshillit Bashkiak Tiranë, dt. 3 maj 2023, për miratimin e “zhvillimit të zonës”

Pak ditë më vonë, në 9 Maj 2023, Këshilli Bashkiak miratoi vendimin nr. 59, me titull: “Për miratimin e kontratës së sipërmarrjes midis Bashkisë Tiranë dhe subjektit “Fusha” sh.p.k”.

Sipas këtyre vendimeve, Këshilli Bashkiak ngarkon Erion Veliaj që të japë për zhvillim pasurinë me nr. 1/66, e llojit “Truall dhe ndërtesë”, ndodhur në zonën kadastrale 8150, rruga “Abi Toptani”, Tiranë, në këmbim të përfitimit të 50 % të sipërfaqes ndërtimore (nëntokë dhe mbi tokë), që do të ngrihet në pasurinë e llojit truall në pronësi të Bashkisë së Tiranës.

Në foto: Vendimi i Këshillit Bashkiak Tiranë, dt. 9 maj 2023, për miratimin e kontratës Veliaj-Fusha

Gjithashtu, sipas kontratës Veliaj-Fusha, bashkia “do të përfitojë në ndërtimin e ri edhe 100% të sipërfaqes të godinës aktuale që ngrihet dhe është pjesë përbërëse e pasurisë nr. 1/66, zona kadastrale 8150, rruga “Abdi Toptani”, Tiranë, në pronësi të Bashkisë Tiranë”.

Vendimi, për aq sa është bërë publike deri më tani, nuk jep detaje se sa kate do të jetë godina e re e Fushës dhe sa do të jetë sipërfaqja ndërtimore totale.

Megjithatë, duke mbajtur në konsideratë se sipërfaqja e truallit është shumë e madhe për një ndërtim normal, 1266 m2, duket se ndërtimi i ri do të jetë masiv.

Në foto: Harta e pronës që do i jepet kompanisë “Fusha” shpk

Bashkia e Tiranës thotë se janë kryer disa negociata me kompaninë zhvilluese dhe në konkluzion është arritur që institucioni të përfitojë 50 përqind të ndërtimit të ri.

Natyrisht, një investim i tillë zhduk përfundimisht një parkim publik, i cili, megjithëse është i shtrenjtë për qytetarët si çdo investim i ngjashëm në Tiranë, ishte një ndihmesë për qytetarët që nuk kanë ku të parkojnë mjetet e tyre në kryeqytet.

Historia e pronës

Trualli, të cilin Veliaj tashmë ka vendosur t’ia dorëzojë Shkëlqim Fushës, është pronë shtet.

Më shumë se 10 vjet më parë, qeveria “Berisha” miratoi vendimin nr. 714, datë 28.08.2013 “Për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë nr. 1/242, ndërtesë, me sipërfaqe 801.4 m2 , pasurisë nr. 1/66, truall, me sipërfaqe 1266.6 m2 dhe ndërtesë 183 m2, ndodhur në zonën kadastrale 8150, Tiranë”.

Në foto: Vendimi i Këshillit të Ministrave, gusht 2013, i cili i kalonte truallin Bashkisë së Tiranës

Në 23 Maj 2016, kur bashkia tashmë drejtohej nga Erion Veliaj, Këshilli Bashkiak i Tiranës, nën drejtimin e socialistit Aldrin Dalipi, miratoi vendimin nr. 32, me objekt “Për kalimin e disa pronave në administrim të Tirana Parking”.

Një nga pasuritë që kalohej në administrim të “Tirana Parking” sipas atij vendimi të Këshillit Bashkiak ishte edhe “Pasuria me nr. 1/66, e regjistruar në ZVRPP, Tiranë, në vol. 32, fq. 118, lloji i pasurisë “Truall”, që ndodhet në zonën kadastrale nr. 8150, indeks harte TR-P-12, me sipërfaqe totale trualli prej 1266.6m² dhe sipërfaqe ndërtimore prej 183 m², sipas genplanit bashkëlidhur këtij vendimi”.

Në foto: Vendimi i Këshillit Bashkiak, Tiranë, në maj 2016, që i kalon pronën “Tirana Parking”
Në foto: Vendimi i Këshillit Bashkiak, Tiranë, në maj 2016, që i kalon pronën “Tirana Parking”

Pra, saktësisht, e njëjta pasuri që tashmë iu dorëzua kompanisë “Fusha” shpk.

Pasi trualli kaloi në administrim të “Tirana Parking”, aty u ndërtua një parkim publik, me tarifat e vendosura nga Bashkia e Tiranës.

Por, jetëgjatësia e këtij parkimi nuk zgjati shumë. Tashmë ai do të kthehet në një kullë për Shkëlqim Fushën, ku bashkia deklaron se do të marrë 50 përqind të sipërfaqes ndërtimore. /Boldnews