
13 milion euro fajde nga Ervis Martinaj dhe 7 nga grupi tjetër kriminal, çfarë fshihet pas sulmit me armë ndaj CFO Pharma të Nadir Caushollit?
Një sulm me armë zjarri tronditi natën e kaluar Tiranën, ku 30 plumba kallashnikovi u shkrehën në drejtim të fasadës së kompanisë farmaceutike “CFO Pharma”. Fatmirësisht, nga sulmi nuk pati të lënduar.
Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë se të shtënat u kryen nga një automjet që më pas u largua në drejtim të mbikalimit të Kasharit.
Pronari i biznesit, Nadir Çausholli, deklaroi se nuk ka konflikte dhe se nuk di kush mund të jenë autorët e ngjarjes.
Megjithatë, mediat raportojnë se sulmi mund të ketë lidhje me borxhe të mëdha të marra me fajde, ku përmenden dy grupe të ndryshme kriminale.
Një prej tyre dyshohet të jetë ai i Ervis Martinit, nga i cili Çausholli mësohet të ketë marrë një shumë prej 13 milionë eurosh, e cila nuk është shlyer.
Sipas të njëjtave burime, një tjetër shumë prej rreth 7 milionë eurosh është marrë me fajde nga Emiljano Shullazi. Policia po verifikon nëse këto detyrime të pakthyera mund të jenë një nga motivet e mundshme të sulmit, duke shfaqur një mesazh të qartë nga autorët.

Gazetari Artan Hoxha ka deklaruar se një pjesë e hetimeve për këtë çështje janë kryer që në kohën kur Ervis Martinaj ishte në kërkim në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”.
Ai ka lënë të kuptohet se Martinaj mund të ketë qenë i përfshirë si investitor ose bashkëaksioner në “CFO Pharma”, duke ngritur më tej dyshime mbi sfondin e këtij sulmi të rëndë.
Hetimet për ngjarjen vijojnë, ndërsa autoritetet po punojnë për të zbardhur motivet dhe për të identifikuar autorët e sulmit./gazetajone