Policia e Tiranës ka shkuar në shtëpinë e Aleks Nikës në Lezhë për të marrë në pyetje babin dhe xhaxhin e të ndjerit në lidhje me audion e pretenduar për komunikimin e gardistëve më 21 janar 2011.

Kujtojmë që në gjatë demonstratës së 21 janarit u vranë 4 persona. I pari që ka humbur jetën ka qenë Hekuran Deda, i cili është qëlluar ndërsa ndodhej në një tavolinë të vendosur nga kameramanët në anën e bulevardit, përpara Piramidës. Pas tij është qëlluar Ziver Veizi, i vrarë në vijë diagonale me Kryeministrinë, para portës së hekurt të këtij institucioni. Viktima e tretë është Faik Myrtaj, nga Fieri, i vrarë në hyrje të rrugicës mes Kullave dhe Gjykatës Kushtetuese. Aleks Nika u plagos rëndë me plumb në kokë para selisë së Kryesisë së Kuvendit dhe gjeti vdekjen dy javë më pas në Turqi.