Prej 18 ditësh fati i Leonard Thodhorit dhe Fatmir Sulovarit është ende mister. Dy 46-vjeçarët janë zhdukur dhe deri më tani kërkimet e policisë dhe familjarëve të tyre nuk kanë sjellë një rezultat konkret.
Gazetari Spartak Koka solli detaje të reja për këtë ngjarje teksa këtë të hënë ishte i ftuar në emisionin “Opinion”. Ai u shpreh se pista e parë që po hetohet nga policia është shitja e një toke në zonën e Çukës në Sarandë.
Sipas të dhënave të gazetarit Koka për këtë pronë që nuk ka asnjë dokumentacion është dhënë një kapar prej 21 mijë Eurosh nga ana e blerësve të cilët janë nga zona e Vrinës dhe e Xarrës.
Po ashtu dyshohet se Thodhori do të takonte dikë tjetër disa ditë më vonë për të marrë 8 milionë Lekë të tjera për këtë pronë.
Sipas gazetarit dyshohet se ndaj Thodhorit të jetë ngritur një pritë nga persona të besuar dhe të njohur të tij.
“Zhdukja e këtyre personave është mesditën e datës 6 Prill të këtij viti. Sot bëhen 18 ditë nga kjo ngjarje dhe familjarët kanë qenë të shtunën, se unë isha në Sarandë dhe jam marrë me këtë histori dhe po kërkonin të gjitha indiciet dhe informacionet që familjarët kishin grumbulluar. Janë dyshime të forta që mund të jenë vrarë dhe të jenë zhdukur. Ata po kërkonin që të kishin një informacion nga policia dhe pas këtij takimi dhe pas kësaj proteste që kanë bërë familjarët në komisariatin e Sarandës, dje në terren kanë dalë forca të shumta të FNSH-së, kryesisht në Vrinë, në Xarrë dhe në disa zona të tjera. Po kërkojnë në bazë të informacioneve. Unë kam folur dhe me personat që kanë qenë kontakt i fundit i Fatmir Sulovarit, i cili është shok me Leonard Thodhorin, ose i njohur ndryshe si “Koçole” në Sarandë dhe i cili kishte ardhur për punët e tij, por ka dyshime që të jetë thirrur nga Leonard Thodhori për t’i dalë në mbrojtje për diçka. Pista e parë që po hetohet për këtë ngjarje është shitja e një toke në zonën e Çukës në Sarandë, e cila ishte pa dokumentacionin përkatës, dhënia e një kapari prej 21 mijë eurosh nga ana e blerësve, të cilët janë nga zona e Vrinës dhe e Xarrës. Prishja e kësaj shume parash nga Leonard Thodhori dhe një mik i tij me inicialet N.B, i cili pesë ditët e fundit është tërhequr nga kjo marrëveshje dhe pretendon se ia ka kthyer Leonard Thodhorit këto lekë dhe bëj çfarë të duash me tokën. Toka ka rezultuar që nuk kishte asnjë letër pronësie. Nuk ishte në pronë të askujt megjithëse pretendohet edhe nga një palë tjetër dhe atë ditë pra, të mërkurën për të enjten, Leonard Thodhori do të takonte dikë për të marrë 8 milionë Lekë të tjera. Dyshohet të jetë ngritur një pritë nga persona të besuar dhe nga persona të njohur të Leonard Thodhorit”, tha gazetari Koka.