“Ato ishin dy motra, njëra 7 vjeç dhe tjetra 10, të cilat prindërit e tyre i kishin regjistruar në një video në profilin e tyre në Tik-Tok teksa pyeteshin me humor “sa bëjnë 7 herë 5”. Në momentin kur njëra prej motrave gabonte me përgjigjen, tjetra reagonte duke e goditur lehtë me shuplakë. Kjo video ishte marrë dhe nxjerrë nga konteksti, për t’u qarkulluar më pas në një faqe tjetër me ndjekës të shumtë”.

Borjana Dine, psikologe e Qendrës për të Drejtat e Fëmijëve, CRCA, thotë se kjo është një nga historitë e shumta të denoncuara në platformën “Isigurt.al” gjatë vitit 2022.

Dine shprehet se denoncimi për videon bullizuese u bë nga familjarë të vajzave që e kishin parë videon të qarkullonte në rrjet.

“Video bullizuese kishte të bënte me fjalorin e ulët që përdornin ata që e kishin marrë nga faqja e prindërve të vajzave të vogla”, thotë Dine e cila shton se në momentin që njëra nga motrat qëllonte me shuplakë, ishte montuar zëri ku shahej rëndë e vogla.

“Njëlloj si videot që shohim në rrjet ku janë hequr nga konteksti dhe i janë vënë fjalë apo muzikë tjetër”.

Psikologia Dine thotë se ndër videot e bllokuara janë dhe videot bullizuese, ku një rast për shembull, ishin një grup adoleshentësh 13-vjeçarë që bullizonin një shok klase duke e detyruar të thoshte çdo gjë që ata i kërkonin.

“Denoncimi në platformë u bë nga shokë të tjerë të adoleshentit të bullizuar. Ne ndërhymë dhe video u hoq nga qarkullimi”, thotë Dine.

Por historitë e shantazheve në rrjetin social Instagram janë më të shpeshtat dhe vajzat janë më së shumti pre e tyre.


Sipas psikologes Dine, shantazhuesit në pjesën më të madhe të rasteve janë ose ish të dashurit ose shokë që kërkojnë të krijojnë raporte intime me vajzën që shantazhojnë, duke e detyruar të pranojnë lidhje në këmbim.

“Ka ndodhur që vetë vajzat ua kanë dërguar fotot djemve në privat, në kohën kur kanë pasur lidhje. Por pas ndarjes, këto foto janë përdorur për shantazh ose presion që vajzat të rikthehen”, thotë Dine.

Sipas saj, ka ndodhur madje që me fotot e vajzave janë hapur profile false në Instagram, në faqe me shumë ndjekës.

Ndërsa rastet më ekstreme për të cilat është kërkuar ndihma edhe e platformave të huaja, janë videot intime që ish-partnerë të vajzave kanë shpërndarë në faqet pornografike, siç ishte rasti i një 30-vjeçareje nga Tirana.

“Vajza na kontaktoi në chat, në platformën “isigurt.al” ku na tregoi se video ishte regjistruar në moment intim dhe më pas ish-partneri e kishte dërguar në faqet pornografike”, thotë Dine dhe tregon se janë raportuar të gjitha videot me materiale të papërshtatshme pranë platformës ndërkombëtare INHOPE ku përbëjnë 29% të rasteve totale. 3% e rasteve kanë marrë këshillim sesi ata mund të vepronin vetë në raste të caktuara, ndërsa vetëm 2% e rasteve janë deleguar pranë ASHDMF dhe Policisë.

Një raport i Qendrës për të Drejtat e Fëmijëve, CRCA, tregoi se për vitin 2022 u ankuan 150 fëmijë e të rinj pranë platformës isigurt.al duke raportuar 243 faqe.

Sipas raportit, megjithëse vihet re rënie e numrit të faqeve të raportuara në krahasim me vitin 2020 që përkoi me vitin e pandemisë, sërish edhe gjatë 2022, viktima të sulmeve kibernetike janë më së shumti vajzat. Sipas të dhënave të 2022, burrat mbeten në shifra përdorues më të lartë të internetit me 80.3%, ndjekur nga gratë dhe vajzat me 78.3%.

Mosha kryesore dhe më e prekur nga dhuna online dhe gjuha e urrejtjes në internet gjatë vitit 2022 ishte kategoria 18-30 vjeç, e ndjekur nga grup mosha 15-17 vjeç. Sipas raportit të CRCA, mungesa e parashikimeve dhe rregullimeve ligjore në Kodin Penal e bën tepër të vështirë mbrojtjen online të fëmijëve sidomos nga disa veprime ende të parregulluara si sexting,  grooming,  imazhet e vetë-gjeneruara nga fëmijët online dhe ngacmimi seksual online.

Në 46% të rasteve faqet, profilet apo videot e raportuara janë mbyllur, ndërsa rreth 44% e tyre janë ende të hapura online, dhe kjo për faktin se rastet në fjalë nuk kanë përmbushur një apo disa nga kushtet e raportimit./GazetaSi