Në muajin dhjetor të këtij viti, mbushen plot 30 vjet nga dërgimi i mesazhit të parë në një telefon. SMS-të (Short Message Service), që nga dhjetori 1992, janë bërë mënyra më e thjeshtë e komunikimit për të gjithë.

Në 3 dhjetor 1992, mesazhi i parë në histori u dërgua me një tekst të thjeshtë: Merry Christmas. Një inxhinier 22 vjeçar i Sema Group, Neil Papworth, i dërgoi tekstin Gëzuar Krishtlindjet nga kompjuteri personal nëpërmjet rrjetit të vodafonit tek një telefon i një kolegu të tij.

Papworth ishte pjesë e një grupi që po zhvillonin këtë teknologji të re për llogari të Vodafonit në Britaninë e Madhe. Ai ia dërgoi mesazhin Richard Jarvis, drejtorit të Vodafone, që po organizonte një festë për krishtlindje.

“Nuk pata ndjesi, isha duke mbyllur punën dhe doja të sigurohesha që software ynë që ishim duke zhvilluar përgjatë vitit punonte në rregull” kujtonte më vonë Papworth. Pak çaste më vonë, Papworth mori një telefonatë për festën e krishtlindjeve duke i bërë të qartë se mesazhi ishte një sukses edhe pse celularët atëkohë nuk mund të kthenin mesazhe.

Një vit më vonë, Nokia nxorri telefonin e parë me SMS por mesazhet ishin të limituara me 160 karaktere dhe mund të dërgoheshin vetëm në të njëjtin rrjet. SMS me kompanitë rivale u mundësuan vetëm në vitin 1999.