Plot 300 mijë euro i janë premtuar Amarildo Nikollit, të njohur ndryshe edhe si ‘shkodrani’, në gusht të vitit 2023 kur u nis të eliminonte Inez Hajrullën. Shifrën e ka zbuluar vetë Nikolli pas arrestimit, gjatë rrëfimit të tij përpara autoriteteve.

Nikolli ka rrëfyer se ishte kontraktuar nga dy djem xhaxhallarësh me inicialet L.Z dhe E.Z si dhe nga shtetasi i arrestuar me tre emra, Muharrem Koroveshi, alias Ismailaj dhe Myftaraj.

Gjashtë muaj pas këtij rrëfimi, vetëm dy ditë më parë, Koroveshi u vu në pranga, ndërsa dy kushërinjtë u shpallën në kërkim.

Amarildo Nikolli alias Xhanej ka treguar se L.Z dhe E.Z., e kanë shoqëruar personalisht në momentin që është nisur të kryejë vrasjen pranë zonës së quajtur “Oslo”, territor ky që kontrollohet nga grupi i drejtuar nga Inez Hajrulla.

Në momentin që ka ndërhyrë policia dhe ka arrestuar Nikollin, dy kushërinjtë kanë mundur të largohen me vrap dhe tu shpëtojnë prangave.

Tashmë treshja po hetohen për akuzën e “Vrasjes me paramendim” mbetur në tentativë kryer në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”, “Sigurimi i kushteve për të kryer vrasje” dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve të zjarrit”.

Ndërsa Nikolli është kthyer në një bashkëpunëtor të drejtësisë dhe deklarimet e tij janë kyçe në zbardhjen e disa atentateve të bujshme të ndodhur gjatë viteve 2020-2023.

Inez Hajrulla është armiku i përbetuar i Sokol Sinomatajt, të njohur si ‘buzëderri’, i cili ka qenë i dyshuari kryesor për vrasjen e Edison Harizajt, ‘faqedjeguri’. Pas eliminimit të Harizajt, ishte Hajrulla ai që kaloi në krye të grupit kriminal.

Hajrulla u ka shpëtuar edhe dy atentateve të tjerë.

Në vitin 2017 kur u dëmtua në të dyja këmbët pasi një sasi eksplozivi shpërtheu në mjetin e tij dhe në vitin 2019, kur konsumonte një kafe në kompleksin ‘Oslo’ në zonën e Lungomares, u qëllua me breshëri plumbash nga dy makina në lëvizje. Pas përgatitjes së atentateve dyshohet se qëndron familja Sinomataj.