Policia spanjolle ka gjetur 3 milionë euro cash, një nga konfiskimet më të mëdha në historinë e vendit në kuadër të një goditje të mafias kineze që “lëviz” paratë e krimit të organizuar.
Më shumë detaje për operacionin ka dhënë media spanjolle “EL PAÍS“, duke zbuluar që në kuadër të operacionit janë prangosur 24 persona (17 burra dhe 7 gra) për pastrim parash dhe trafik droge. Edhe për këtë rast është përdorur metoda “hawala” ose “fei chien” ( fjalë që përkthehet “para që fluturon”).
Kjo metodë dyshohet se ka shërbyer për financimin e grupeve kriminale me mbështetjen e fraksioneve me origjinë shqiptare, lituaneze dhe spanjolle.
Të hetuarit lëviznin shuma të mëdha parash në automjete të modifikuara, madje njëherë kanë lëvizur jo pak por gati 1 milionë euro.
Pjesëtarë të krimit të organizuar e përdorin këtë sistem për shkak së lejon mbylljen e transaksioneve (për shembull, blerjen e drogës) pa bërë transferta bankare dhe pa pasur nevojë të kalojnë kufirin. Metodë që u minimizon risqet për t’u kapur. Havaladores (bankierët informalë) kujdesen për gjithçka në këmbim të një komisioni.
Kësaj here paratë mbaheshin një pronë industriale në Badalona, ku u gjetën 100 mijë euro. Por hetuesit dyshuan se nëse do të ndiqnin gjurmët e parave, mund të shkonin më tej. Dhe kishin të drejtë! “Mossos” (Policia spanjolle) kanë mundur të zbulojnë se si fraksioni kinez i zhvendoste paratë e trafikun e drogës duke i transferuar tek havaladorët e tjerë për t’i çuar më pas tek trafikantët e drogës. Grupi mafioz kinez drejtohej nga një çift me banim në Sabadell, i cili “centralizon dërgesat e parave të gatshme”. Shtëpia e tyre, e cila u kontrollua, funksiononte në fakt si një “qendër takimi” me fraksionet që bashkëpunonin me ta (njëri shqiptar dhe tjetri lituanez). Por emri i tyre kishte nisur që të përhapej në zonë, ndaj në janar 2023, ndërsa çifti po udhëtonte jashtë vendit, një familjar i tyre denoncoi grabitjen me armë të një furgon Mercedes Benz në parking. Automjeti u gjet disa orë më vonë në flakë.
Mesa duket hajdutët kishin menduar se tek mjeti do të gjenin para, por nuk ishte ky rasti.
Çfarë është Hawala?
Hawala, është një term me origjinë arabe, që nënkupton transferim ose besim. Ajo nënkupton një metodë joformale të transferimit të parave pa i lëvizur ato fizikisht nga një shtet në tjetrin. Është një metodë që ka në bazë persona të ndryshëm që funksionojnë si huadhënës, dhe është një taktikë e përdorur gjerësisht në Lindjen e Mesme dhe Afrikë, ndërkohë që në Dubai konsiderohet një transfertë e ligjshme, edhe pse vendet perëndimore kanë mbajtur të tjera qëndrime.
Historia e Hawala-s
Sistemi hawala u zhvillua për herë të parë në Indi gjatë shekullit të 8- të. Hawala u ofroi përdoruesve të saj një sistem alternativ të kryerjes së transfertave të fondeve përtej kufijve gjeografikë në vend të metodës tradicionale të përdorimit të transfertave bankare.
Kuptimi i Hawala-s
Rrjeti që dyshohet se është përdorur fillimisht nga personat për të dërguar para te të afërmit e tyre, tashmë duket se është shndërruar në një mekanizëm në dorën e trafikantëve, të cilit lëvizin para pa lënë gjurmë. Për shembull, Amir jeton dhe punon në New York City dhe dëshiron t’i dërgojë 1000 dollarë kushëririt të tij Ikbal në Pakistan. Amir vendos të vizitojë një tregtar hawala, Mohammad, në Nju Jork dhe i jep atij detajet e transaksionit, i cili përfshin emrin e kushëririt të tij, qytetin e vendbanimit dhe një fjalëkalim.
Amiri gjithashtu bie në kontakt me Ikbalin për t’i dhënë atij edhe fjalëkalimin. Muhamedi më pas kontakton Shirinin, një tregtar Hawala në qytetin e Ikbalit, përmes listës së tij të kontakteve dhe i kërkon atij të takohet me Ikbalin për t’i dhënë 1000 dollarët e Amirit.
Shirini dhe Ikbali takohen dhe ai i merr paratë pasi thotë saktë fjalëkalimin që mori nga kushëriri i tij Amiri. Shirin i transferon 1000 dollarë Ikbalit menjëherë nga llogaria e tij dhe tani ajo shumë i detyrohet Mohammad në Nju Jork. Kjo procedurë kërkon një kohë që varet nga disa orë deri në disa ditë, në varësi dhe të shumave që transferohen mes personave. Kjo e bën të gjithë procesin shumë më të shpejtë se transfertat bankare, por edhe shumë më të vështirë për të bërë gjurmimin e tyre.
Si funksionon sistemi Hawala?
Një tjetër fakt i rëndësishëm dallues i këtij sistemi, është mungesa e dokumentacionit të lënë, pasi gjithçka bëhet kryesisht në kushtet e besimit. Tregtarët mbajnë shënime joformale të të gjitha transaksioneve që mund të shlyhen në forma të ndryshme, si para në dorë, prona, shërbime ose marrëdhënie të tjera të ndërsjellta. Si i tillë, sistemi hawala funksionon në mënyrë të pavarur nga çdo sistem ligjor, gjyqësor, që do të thotë se ai nuk mbështetet në ligje të qarta juridike.
Pse Hawala preferohet nga përdoruesit e saj?
Përveç që sistemi hawala është shumë më i shpejtë dhe i përshtatshëm për sa i përket transferimit të pagesave, përdoruesit e tij tërhiqen edhe nga avantazhe të tjera, si aftësia për të transferuar para midis vendeve më të varfra dhe më pak të zhvilluara ku sistemet bankare formale janë të shtrenjta ose më të vështira për t’u aksesuar nga ata.
Hawala dhe pastrimi i parave
Hawala shpesh konsiderohet një formë e bankingut nëntokësor dhe është përdorur shpesh nga pastruesit e parave dhe terroristët për të transferuar fonde përtej kufijve gjeografikë. Një nga shqetësimet kryesore që kanë vendet me këtë sistem është se si mund të përdoret për pastrim parash për shkak të mungesës së burokracisë në sistem, pasi ato nuk kalojnë përmes sistemit bankar dhe nuk përballen me rregullimet zyrtare. Ai siguron anonimat në transaksionet e tij, pasi burimi i parave që transferohen nuk mund të gjurmohet dhe ka relativisht pak të dhëna të shkruara dhe zyrtare.