Pas më shumë se 10 vitesh dhe 433 milionë euro të investuara, është hapur për qarkullim Unaza e Madhe e Tiranës. Në ceremoninë e hapjes ka marrë pjesë kryeministri socialist Edi Rama.

Unaza e Madhe ka një gjatësi prej 28.7 kilometrash, disa mbikalime dhe tunele, dy prej të cilave janë hapur sot për qarkullimin e mjeteve në zonën e ish-rrethrotullimit të “Shqiponjës”.

Ky aks me një shpejtësi të lejuar prej 90 km/h pritet të lehtësojë trafikun brenda kryeqytetit.

Unaza e Madhe është e ndarë në katër segmente. Unaza veriore e cila fillon te ish-sheshi Shqiponja dhe përfundon te mbikalimi në Shkozë si dhe Unaza perëndimore e cila fillon te ish-sheshi Shqiponja dhe përfundon te mbikalimi te pallati me shigjeta.

Unaza Jugore nis te mbikalimi te pallati me shigjeta dhe përfundon te rrethrrotullimi i TEG, dhe unaza lindore nis te rrethrrotullimi i TEG-ut dhe përfundon te mbikalimi i Shkozës, duke përfshirë segmentin nga mbikalimi i Shkozës deri te materniteti i ri.