Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, Partia Socialiste e Shqipërisë arriti të fitojë me 768,250 vota, duke siguruar 74 mandate në Kuvend.
Megjithatë, një ecuri e tillë triumfale duket se është errësuar nga një realitet i hidhur që fshihet pas shifrave: mbi 47,000 vota që janë shfrytëzuar nga politikanë të përfshirë në korrupsion, të cilët sot nuk përfaqësojnë qytetarët e tyre në parlament, por gjenden në burg ose janë larguar nga detyra për shkak të skandaleve.
Alqi Bllako, Arben Ahmetaj, Ilir Beqja, Jurgis Cyrbja, Lefter Koka dhe Rrahman Rraja, të gjithë anëtarë të PS-së dhe të zgjedhur si përfaqësues të popullit, kanë marrë një total prej 47,433 votash, të cilat sot mbeten pa përfaqësim real.
Nga të qenit përfaqësues të qytetarëve, këta individë janë kthyer në simbole të krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta të pushtetit.
PS premtoi drejtësi dhe qeverisje transparente, por realiteti tregon të kundërtën. Një numër i lartë i kandidatëve të zgjedhur nga kjo forcë politike kanë humbur mandatet për shkak të hetimeve për korrupsion apo rekorde kriminale, duke i shërbyer interesave të tyre personale mbi ato të popullit.
Votat e qytetarëve janë kthyer në mbështetje të krimit dhe korrupsionit, duke dëmtuar edhe më tej besimin në sistemin politik dhe drejtësinë në vend.