Në tentativën e grabitjes në fshatin Prush të Tiranës morën pjesë 5 persona, njëri prej të cilëve në rolin e shoferit që do t’i largonte nga vendi i ngjarjes dhe 4 të tjerë hynë në banesën e shtetasit Gani Hima.

 

Ata ishin të armatosur dhe veshur me jelek policie dhe sipas burimeve, janë prezantuar si efektivë dhe më pas kanë nisur te kanosin familjarët. I pesti priste disa metra poshtë shtëpisë në një Audi të bardhë.

Me mbërritjen e policisë, autorët që ishin në banesë kanë hapur zjarr dhe efektivët i janë përgjigjur po ashtu.

3 nga autorët janë larguar në drejtim të zonës së pyllëzuar të fshatit Prush dhe njëri prej tyre ka arritur të shkojë drejt makinës që po e priste, ku edhe aty ka ndodhur një tjetër përplasje.

Patrulla e policisë ka tentuar t’i bllokojë rrugën grabitësve që largoheshin me makinë dhe një prej efektivëve provoi t’i hapte derën, por për shkak të shpejtësisë e pati të pamundur.

Për shkak të mënyrës së sjelljes, pajisjes me armë zjarri, hetuesit kanë dyshime se mund të kemi të bëjmë me të njëjtin grup që kreu grabitjen e argjendarisë në Kamzë.

Prej mbrëmjes së djeshme hetuesit kanë grumbulluar provat në vendin e ngjarjes dhe sekuestruar një sërë kamerash sigurie.