Të dhënat e nxjerra nga kompjuteri i Klodian Zotos, një prej biznesmenëve që fitoi 3 koncensione për ndërtimin e inceneratorëve në Shqipëri, zbërtheu sipas SPAK lidhjet e tij me zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit, por jo vetëm.

Gazeta Jonë lexoi vendimin e Gjykatës së Posaçme që lëshoi 15 masa sigurimi, sipas kërkesës së SPAK dhe vuri në arrest zyrtarë të Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Mjedisit, mes të cilëve sërish ish-ministrin Lefter Koka dhe ish-Sekretarin e Përgjithshëm Alqi Bllako.

Duke iu referuar emaileve të shtetasit Klodian Zoto, SPAK thotë se gjeti lidhje mes Bllakos dhe Zotos.

Lidhje të konfirmuara dhe nga dëshmia e shtetasit Vladimir Bezhani, që sipas hetimeve rezulton të ketë qenë këshilltar i jashtëm i ish-ministrit Lefter Koka, dhe në të njëjtën kohë punonjës në kompaninë e Zotos.

Por, punën në këtë kompani ai thotë se ia kishte gjetur ish-Sekretari i Përgjithshëm, Alqi Bllako.

“Ish-Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako me ka sugjeruar që të isha këshilltar i jashtëm i minisrit, por duke qenë se nuk do paguhesha nga Ministria, ai më tha që për të marr pagën, do më punësonte tek shoqëria e Klodian Zotos, “Integrated Technology Servises” Sh.p.k. ku dhe jam punësuar nga 2014 deri në 2021. Deri në 2017 unë nuk kam pasur kontratë. Kontratën e kam lidhur pasi përfundoi procedura e dhënies së inceneratorit”.

Të dhënat e emaileve, sipas SPAK tregojnë se si shkresat dhe kthim përgjigjet për Ministritë e tjera, apo Bashkinë përpiloheshin dhe konsultoheshin me Klodian Zoton nga ana e zyrtarëve që ishin pjesë e komisionit të përzgjedhës.

Të njëjtat emaile konfirmojnë edhe se pas kompanisë që fitoi koncensionin qëndronte Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, ky i fundit duke bërë dhe sugjerime për projektin që çuan në rritjen e kostove.

Teksa SPAK avancoi me hetimet, përfaqësuesit ligjor të kompanisë që po kryente punimet për inceneratorin e Tiranës, Integrated Energy Bv SPV, i janë drejtuar me rekurs Gjykatës së Lartë dhe kërkojën lirimin nga sekuestro.

Të hënën në orën 10:30, Gjykata e Posaçme do të zhvillojë seancën për masën e sigurisë për 15 të hetuarit, disa prej të cilëve më herët kanë mohuar akuzat.