Hetimi i Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për inceneratorin e Sharrës, zbuloi jo vetëm që Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto janë pronarët realë të kompanisë koncensionare, por edhe ka identifikuar qartë rolet dhe përgjegjësitë e tyre.

Të dhënat e siguruara e publikuara nga “Boldnews.al” dëshmojnë se “drejtuesi absolut” i shoqërinë “Integrated Energy bv” që fitoi kontratën 128 milionë euro për landfillin e Sharrës, është Mirel Mërtiri.

Për këtë mjafton, më së paku, një komunikim me tone të acaruara mes dy “bosëve”. Në atë komunikim të zhvilluar në 7 Shtator 2018, e të zbuluar nga SPAK në kompjuterin e Klodian Zotos.

Sipas komunikimit, kuptohet se Klodian Zoto ka kryer pagesa për disa persona, të cilët nuk vlerësohen prioritarë nga Mërtiri. Kjo ka shkaktuar nervozizmin e Mërtirit, i cili i kërkon llogari kolegut të tij Zoto dhe i kërkon që të mos guxojë të veprojë më në atë mënyrë.

Teksti sqaron qartë se Klodian Zoto ishte më shumë një lloj “ushtari” i Mirel Mërtirit.

I pari që shkruan është Mirel Mërtiri.

Klod, mirëmëngjes! Në dokumentin më poshtë do të gjesh të gjithë debitorët që ne kemi si grup. Do të vëresh që ka patur edhe më shumë prioritete të tjera për t’u paguar, të cilët janë lënë komplet në hije. Të lutem, nuk dua që të më ndërhysh në listën e pagesave, siç veprove këtë herë me gocat. E kemi bërë qindra herë këtë bisedë dhe ti vazhdon me atë stilin tënd të veçantë, vazhdon të dalësh atje ku do.

Vëlla, herë tjetër, nëse ke prioritete, më thuaj dhe nuk ke punë më me listën. Përse jam rrugëve unë s’do të thotë që nuk kam përparësi në ecurinë e punëve dhe mbarëvajtjen. Unë s’jam aty. Por s’mund të lejoj që financa (e përpunuar nga ty) të më hedhi hi syve me miratimin tënd. Kjo të lutem s’dua të ndodh më. Bashkë i kemi ndarë detyrat, mund të diskutojmë për çdo gjë, por jo të përpunojmë njëri-tjetrin, pasi unë nuk e bëj kurrë. TË LUTEM MOS më vendos më në siklet të tillë. Financa është zyrë më vete dhe duhet të jetë transparente për ty dhe për mua. Mos më vë në siklet, TË LUTEM…”.

Në foto: Pjesë nga dosja hetimore e inceneratorit të Tiranës

Bashkëlidhur këtij e-maili gjendet një listë në format excel, ku gjenden tabela financiare që lidhen me kompanitë ‘Albtek Energy” e inceneratorit të Elbasanit; “Integrated Technology Waste Treatment” e inceneratorit të Fierit; “Integrated Energy bv” e landfillit të Sharrës, si edhe të kompanive “satelitë”; “Artemis Farm”, “Miklo Construction”, “CGC”, “Consultin SE Partners” e “Zoto Consulting”.

Pas e-mail-it nervoz të Mirel Mërtirit, i menjëhershëm ka qenë reagimi përulës i Klodian Zotos:

Mirëmëngjes! Të më falësh. Sinqershit të siguroj që s’do të ndodhë më ndërhyrja për sa thua ti. Besoj që nuk do të kemi më nevojë që të bëjmë këtë diskutim dhe nuk do të përpunoj më njeri. Dhe njëherë, të kërkoj falje. Ditë të mbarë!”.

Pasi vuri pikat mbi “i” për rolin e bosit, Mirel Mërtiri tregohet më i zbutur në vijim. Madje i drejtohet mikut të tij, plot ëmbëlsi:

“Faleminderit zemra…!”

Pas këtij komunikimi me tone nervoze, dy “bosët e plehrave” vijuan përfitimin e miliona eurove nga Bashkia e Tiranës.