Kontrolli i Lartë i Shtetit ka publikuar një raport me gjetjet nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural që ka mbyllur në korrik të këtij viti. Sipas raportit ministria i ka dhënë një tender 670 milionë lekë të vjetra Salillarit për të ndërtuar një stallë lopësh në Qendrën e Transferimit të Teknologjive Bujqësore në Fushë Krujë.
Por që nuk u vendos asnjëherë në punë dhe nuk është marrë në dorëzim. Shkaqet që nuk është vendosur në punë janë të shumta, duke nisur që tek kryerja e punimeve pa cilësi e deri tek ndryshimet në projekt. GJ publikon dokumentet e raportit të KLSH-së. “Rikonstruksioni i Godinës së QTTB Fushë Krujë dhe Ndërtim Godine, SALILLARI me afat të zbatimit të punimeve 18 muaj nga data e lidhjes së kontratës.
Nga inspektimi në terren i punimeve të realizuara për këtë kontratë por në lidhje me punimet për ndërtimin e stallës së lopëve, rezultoi se ky investim, në 5 mujorin e parë të vitit 2023 është krejtësisht jo efektiv dhe i pa vënë në përdorim nga ana e Ministrisë dhe QTTB, duke mos përmbushur objektivin për të cilin është ndërtuar dhe për pasojë përdorimin pa efektivitet, efiçiencë dhe ekonomicitet të fondit të shpenzuar për këtë objekt në masën prej 67,633,707 lekë me TVSH.
Gjithashtu investimi nuk rezultoi të ishte i sigurt nga vjedhjet, tjetërsimi si dhe nga përdorimit i paautorizuar pasi nuk janë siguruar vendqëndrimet dhe rojet përkatëse në të paktën 2 pozicione, këto të domosdoshme nisur edhe nga shtrirja e investimit” thuhet në raportin e KLSH-së.