Më pak se 20 sekonda i janë dashur për të kryer krimin, autorit të vrasjes së dyfishtë në Tiranë Arsen Muskurti i cili vrau me armë zjarri vëllanë e tij Dritan Muskurti dhe bashkëshorten Nora Muskurti.

Në pamjet e filmuara nga kamerat e sigurisë së një biznesi në zonën ku ndodhi ngjarja, duket autori i cili ecën normalisht, dhe sapo afrohet pranë derës nxjerr nga xhepi një objekt në dukje armë zjarri dhe futet brenda.

Kur kanë kaluar disa sekonda, ai del sërish nga agjencia turistike e cila administrohej nga i vëllai dhe bashkëshortja e tij, qetësisht si të mos ketë ndodhur asgjë.

Momenti kur autori del nga agjencia turistike

Sapo ai largohet për disa metra një person në zonë i cili mund të ketë dëgjuar të shtënat, afrohet në biznesin ku ndodhi ngjarja dhe pasi sheh brenda tij del jashtë me shpejtësi duke njoftuar pjesën tjetër të kalimtarëve.

Kanë qenë ata që kanë njoftuar policinë për ngjarjen e rëndë, e cila mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes. Pas më shumë se dy orësh policia bëri të mundur arrestimin e autorit në rrugën “5 Maji” ku ndodhej me të shoqen dhe njërin nga fëmijët e tij.

Në aksion për kapjen e tij janë angazhuar edhe forcat RENEA.Kjo pasi autori ka qenë i armatosur dhe dyshohet se është radikalist.

Konflikti mes vellezerve

Dy vëllezërit Arsen dhe Dritan Muskurti dyshohet se kishin pasur konflikte të vazhdueshme me njëri tjetrin për shkak të problemeve të pronësisë me agjencinë turistike që sot administrohej nga viktima dhe e shoqja.

Biznesi ishte themeluar para disa vitesh nga dy vëllezërit dhe pas debateve ata kishin vendosur të ndanin rrugët, por jo me mirëkuptim. Disa kohë më parë , dyshohet se viktima kishte kërkuar urdhër mbrojtje për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme të vëllait të tij. Autori Arsen Muskurti kishte themeluar një tjetër biznes dhe kishte në pronësi një rrjet dyqanesh në Tiranë.

Paralajmërimi në rrjetet sociale

Përgjatë dy muajve të fundit autori i krimit kishte paralajmëruar në rrjetet sociale ngjarjen e rëndë të ndodhur ditën e sotme. Ai pretendonte se vëllai dhe e shoqja administronin një faqe në rrjetet sociale ku postoheshin fotot e tij me akuzat të rënda për abuzime me shitëset në dyqanet që kishte në pronësi.

Arsen Muskurti pretendonte se i vëllai kishte ndërruar emrin nga Dritan në Alban pasi sipas tij kishte qenë i dënuar në Itali me dy vite burg për shfrytëzim prostitucioni.

“E RENDESISHME, emri i vërtetë i Dritanit ka qenë ALBAN por për arsye që është dënuar në ITALI për Prostitucion dhe Vjedhje e ka ndëruar emrin në Dritan dhe ka pas 5 vjet (Espuls) për mos me hy në asnjë Shtet të Bashkimit Europian”, shkruante ai.