IMG_9412

Janë zbardhur detaje nga seanca gjyqësore në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion për të akuzuarit e dosjes “Metamorfoza 2” ku GJKKO pranoi gjykimin e shkurtuar për të pandehurit Ismail Zeneli, Bujar Ajeti, Besmir Murtati, Adrian Cenaj, Albert Prenga dhe Dedan Gjoni në këtë process, ndërsa çështja u nda për ish zëvendës drejtorin e policisë së Tiranës, Erzen Breçanin dhe ish efektiven e policisë, Jonida Babameto.

Erzen Breçani në sallën e gjyqit u shpreh se nuk mund të pranojë të gjykohet me provat e paraqitura nga SPAK.

Ndërkohë prokurori Vladimir Mara u shpreh se Erzen Breçani ka përdorur një pin në aplikacionin Sky Ecc që më parë e ka përdorur bashkëpunëtori i drejtësisë Nuredin Dumani.

“Unë dua të gjykohem me procedurën e zakonshme. E njoh shumë mirë hetimin dhe në dijeninë time, ky që është pas meje, Bujar Ajeti që e njoh që kur ishim fëmijë, më pas edhe tek RENEA, në dijeninë time nuk ka qenë ky person në kërkim nga shteti shqiptar. Unë kam arsyet e mia pse unë nuk e pranoj gjykimin e shkurtuar. Bujar Ajeti ka qenë i shoqëruar disa herë, ka kaluar kufirin me pasaportë. Unë kam ndjekur kriminelët gjithë jetën time, nuk kam përsë të përkrah këtë kategori tani. Nuk mund ta pranoj që unë të gjykohem me këto prova që janë paraqitur. Për akuzën e “pastrimit të parave”, as më ka shkuar në mend dhe as kam pastruar para. SPAK thotë vetë që nuk kemi mundësi financiare dhe është e vërtetë, paratë për hidrocentralin ia kemi marrë vëllait që ka 25 vite, me disa biznese”, citohet të ketë thënë Breçani.

Hetuesit kanë zbuluar se Breçani duke shfrytëzuar postin e tij por edhe njohjet në polici, së bashku me Bujar Ajetin dhe Adrian Cenajn kanë ndihmuar Nuredin Dumanin t’i fshihej drejtësisë.

Breçani dyshohet se ka pasur rolin e informatorit, pasi i ka dhënë informacione Dumanit në mënyrë që t’i shmangej arrestimit.

Nga hetimet është zbuluar se Erzen Breçani me veprime aktive të kundraligjshme ka administruar dhe futur në qarkullim të ardhurat e përftuara nga droga të djalit Eralbi Breçani, me qëllim mbulimin e vërtetë të origjinës së tyre. Babë e bir kishin një synim të përbashkët, pengimin e identifikimit të origjinës së të ardhurave.