N/kryetarja e PD-së, Jorida Tabaku nuk pranoi sot që të flasë për situatën në Partinë Demokratike. Gazetarët e pyetën nëse është gati që të largohet nga posti i n/kryetares së partisë, ashtu si Grida Duma dhe Agron Gjekmarkaj, por Tabaku iu shmang këmbënguljes së medias.
“Besoj se ti e kupon vetë, që kur është tepër, është tepër” tha ajo. “Unë besoj se sot po flasim për inceneratorët, por deklaratat e mia për situatën në parti i kam dhënë në grupin parlamentar”.
Një pjesë e deputetëve të PD-së, mes tyre Belind Këlliçi votuan kundër raportit të hartuar nga Jorida Tabaku për inceneratorët me justifikimin e vonesës së dorëzimit të materialeve. Tabaku tha se ndjen keqardhje për kolegët e saj të partisë për këtë gjë.
“Kam ndjerë keqardhje që deputetë të PD-së të bashkojnë votën me Ramën për të mbrojtur korrupsionin më të madh në 30 vite. Raporti i komisionit ka qenë online që ditën e hënë.
Edhe nëse gabimi ishte i imi, që dikujt i shkon dhe dikujt jo, sjellja më normale do të ishte që të mos e votonin dhe jo ta votonin kundër, duke bashkuar votat me Edi Ramën. Raporti ka qenë duke u reduktuar deri në momentin e fundit” tha ajo.